Ambasada amerikane në Prishtinë dhe përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, dënuan gjuhën politike që çoi në tensione dhe ndërprerje të punës së seancës së parlamentit të Kosovës një natë më parë.
Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten mbrëma se ka denoncuar në polici deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pak pasi që seanca e parlamentit u ndërpre për shkak të tensioneve që përfshinë debatet për rishikimin e buxhetit të vendit. Deputeti Ukaj, u përfshi në një përplasje verbale me zonjën Osmani, por mohoi ta ketë kërcënuar atë.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane tha se “parlamenti ka humbur kohë me shpërqendrime dhe sulme personale në vend që të përmbushë përgjegjësitë e tij. Populli i Kosovës meriton më mirë”, ndërsa rikujton se edhe para dy muajsh kishte kërkuar nga të gjitha partitë “që të zbusin retorikën politike dhe të bashkohen në zgjidhjen e krizës ekonomike dhe shëndetësore”.
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Aspotolova, shkroi ndërkaq se parlamenti i Kosovës ka nevojë për punë konstruktive për t’u përballur me sfidat që ka para vetes.
“Të gjithë duhet të përkushtohen për konsensus politik, të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, aq më pak në parlament, e posaçërisht ndaj një gruaje – kryetare e parlamentit”, shkroi ajo.
Të premten deputeti Ukaj, u përfshi në një përplasje verbale me kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmani, derisa po zhvillohej një debat më i ashpër ndërmjet dy deputeteve të parlamentit nga radhët e Partisë Demokratike dhe lëvizjes Vetëvendosje.
Në regjistrime shihet zoti Ukaj që afrohet tek vendi ku qëndron kryetarja e parlamentit pasi që zonja Osmani i kërkoi të ulej “ndryshe do të përjashtohej nga seanca” dhe më pas ajo i dha fund seancës duke theksuar se seanca ndërpritet “për shkak të pa edukatës së disa deputetëve”.
Më pas në një postim në llogarinë e saj në facebook zonja Osmani tha se “ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast”.
Deputeti Ukaj u tha medieve lokale se nuk e ka kërcënuar zonjën Osmani por ishte afruar për të kërkuar shpjegime për reagimin e saj ndaj tij.
Instituti Demokratik i Kosovës, i cili mbikëqyrë punën e parlamentit, dënoi gjuhën dhe sjelljet siç thuhet joparlamentare të deputetëve ndaj kryetares së parlamentit.
/e.rr