Pandemia koronavirus nuk është frenuar, por ka marrë një tjetër ritëm më të shpejtë përhapjeje. Alarmi është lëshuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që nënvizon se situata në shumë vende të botës ka dalë jashtë kontrollit.
Kryetari, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë në Gjenevë nënvizoi se pandemia nuk e ka arritur ende pikun e saj edhe pse shtetet kanë lehtësuar kufizimet për të mundësuar rikthimin e qarkullimit të qytetarëve.
“Në pjesën më të madhe të botës, virusi nuk është nën kontroll dhe situata po përkeqësohet. Më shumë se 12 milionë raste me COVID-19 janë raportuar në OBSH, ndërsa janë humbur më shumë se 550 mijë jetë. Pandemia po përhapet ende me shpejtësi dhe numri i rasteve është dyfishuar në 6 javët e fundit”, deklaroi ai.
Kreu i OBSH kërkoi që të ndërmerren masa për të frenuar pasojat tragjike. “Është koha për një reflektim të sinqertë. Të gjithë ne duhet të shikojmë në pasqyrë, OBSH, çdo shtet anëtar dhe të gjithë që janë përfshirë në reagimin ndaj pandemisë.
Ne jemi në mes të kësaj beteje, të betejës për jetët tona dhe ne duhet të bëjmë më mirë. Jo vetëm për tani, por për të ardhmen. Këto kërcënime nuk do të ndalojnë kurrë dhe me shumë gjasë do të përkeqësohen”, deklaroi Ghebreyesus.
Konferenca e Organizatës Botërore të Shëndetësisë erdhi pas ngritjes të një paneli të pavarur për të hetuar kundërpërgjigjet e qeverive ndaj pandemisë COVID-19.