Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi bashkë me kryedemokratin Lulzim Basha, zhvilluan një bashkëbisedim virtual me Raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
Kryemadhi thotë se u rikonfirmua edhe njëherë që opozita e bashkuar përtej prioritetit për të përballuar sfidën ndaj Covid-19 dhe pasojave ekonomike të saj, mbetet e angazhuar plotësisht në përmbushjen e të gjitha kushteve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Edhe pse kryeministri i vendit provokoi opozitën dhe qytetarët shqiptarë me shembjen e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë, përmes vendimeve të falsifikuara, përdorimit të policisë private pa asnjë numër identifikimi dhe ushtrimit të dhunës së paprecedentë kundrejt qytetarëve dhe artistëve, Opozita e Bashkuar ishte e vendosur të finalizonte Reformën Zgjedhore, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira në vend dhe për të plotësuar një nga kushtet thelbësore për çeljen e negociatave të Shqipërisë”, deklaron Kryemadhi.
Ajo shton se në një Parlament me vetëm 122 deputetë, mazhorancës i nevojiten vetëm 73 vota për të miratuar ligjin e ri elektoral.
Ndaj sipas saj, çdo alibi për të prishur dakordësinë e 5 qershorit është thjesht tentativë për të vrarë dialogun politik në vend dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.
g.kosovari