Një ditë pasi Gjykata e Apelit e liroi, ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka lënë ambientet e spitalit ku ndodhej i shtruar prej dy ditësh dhe është rikthyer në shtëpi.
Sipas vendimit të marrë nga organet e drejtësisë, ish-kryebashkiaku Agim Kajmaku duhet të paraqitet 2 herë në muaj në prokurori.
Një ditë më parë trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Elona Tora, Albana Lluri dhe Zengjine Sallaku ndryshuan masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”. Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Kajmaku u arrestua dy ditë më parë pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat “Continental” për shkak të diabetit.
Ai ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
g.kosovari
Po funksionon SPAK-u si duket..