Presidenca franceze ka dhene sot detaje për takimin e së martës të presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Avdullah Hoti.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, në takimin mes Macronit e Hotit u diskutua për rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe zgjidhjen e problemit mes dy shteteve.
“Presidenti i Republikës priti të martën 7 korrik në Pallatin Elysee Kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti, për të diskutuar rigjallërimin e dialogut për normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës, që është një element thelbësor i stabilitetit dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Zyra e Macronit ka përmendur në njoftim edhe mbajtjen e video-samitit, të premten më 10 korrik, të cilin e organizon ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Ky samit do të pasohet nga ai tashmë i zhvilluar në Berlin më 29 prill 2019. Do të jetë rezultat i hapave që Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë së bashku me Serbinë dhe Kosovën, me qëllim konsolidimin e stabilitetit në Ballkan dhe forcojnë lidhjet e tyre me Bashkimin Evropian”.
g.kosovari