Nga At Zef Pllumi, maj 2004
Dalë e ngadalë demokracia në Shqipni po bahet pesëmdhetëvjeçare. Na pleqët se ç’u gëzuem atë ditë që lindi. Jo vetëm na pleqët por mund thom se u gëzue i gjithë populli shqiptar përveç ndonji nostalgjikut që kishte harrue me hecë në kambë të veta por gjithmonë kaloboç në qafë të tjervet sepse për atë punë thirrej “demokraci popullore”.
Dikur tinzash kishim ndigjue se në Europë kishte demokraci prendimore. Flitej se ishin disa varza të bukura, që i bajshin me sy gjithkuj dhe ecnin në rrugën e gjanë të përparimit, të pasunisë e jetës së lumtun. Edhe kur ato grindeshin mes vedit në dybekun Parlamentar thonin se pa u rrahë gjatë e gjatë nuk del tëlyeni ose gjalpi aty në krye të vendit.
Kur presidenti Ramiz Alia filloi me u plakë e pau me sy të vet se çka e gjet Çausheskun e Rumanisë, u nis për Boston, shkoi në Kishën e Shëngjergjit me rrëfye para At Liaolinit, o dikuj tjetër, mëkatet e shumta gjatë jetës së tij e të shokve.
Si prift i mirë, At Liaolini ia fali mëkatet dhe i caktoi për pendesë që ai kur të kthehej në Shqipni të çpallte “pluralizmin”.
-“Çka asht ky?”-pëveti Ramizi.
-“Pluralizmi, i tha At Liaolini o dikush tjetër, don me thanë që në vend me sundue nji njeri i vetëm, siç keni ba yt at e ti, duhet me sundue dy ose ma shumë… .”
-E kuptova shumë mirë. Krejt mirë! Dhe tue kqyrë ikonën e madhe të Shën Gjergjit, i tha:
Qe, këtu jemi dy: un dhe Kali; bile bile , o At i dashtun për mos me u dukë Shën Gjergj si në kët ikonë; kalin po e ndrroj në gomar sepse i përgjegjet edhe ma mirë historisë e tipareve kombëtare të popullit shqiptar: Un këtu sipri me shkop në dorë e ky i gjori këtu poshtë që nuk ban za as nuk hedh shtjelma sado të sjellish mbi te… . Si të duket?
-Jo mor, jo, i a këthei At Liaolini o dikush tjetër. Jo, jo! Kështu nuk ban… boll e keni kullotë. Tashma je plakë zgjidh dy djem të rij… në vend tand. Ky asht pluralizmi që thashë.
Rruga me avion për Amerikë asht shumë ma e gjatë me kthye se sa me shkue. Gjatë kësaj rruge së gjatë Ramizi ishte tym në mendime: pluralizmi, djemtë e rij… a janë të tjerët si na… a do të dijnë me vazhdue rrugën tonë përparimtare tue ecë së mbrapthi kurrkush ma mirë se na… do të këshillohem sa të shkoj me Nexhmijen: ajo asht grueja ma e meçme e botës… Vetëm atë ndigjonte Enveri i shkretë… .
Kur u kthye në Tiranë Ramizi e pveti Nexhin: a din çka don me thanë “pluralizëm”?
-E si nuk e dij! Ma ka mësue shoku Enver qyshë se kjeçë vajzë. Na e kemi Pluralizmin politik ma të mirin në botë: Kemi Partinë e Pushtetin e përveç ktyne kemi Frontin Demokratik, kemi Gruen Demokrate, kemi Rininë e Lidhjen e Shkrimtarëve. E çka na duhen ma shumë!? Jemi popull i vogël, por i bashkuem: dy miljon por sa dyqind miljon. Kurrkush nuk flet as s’ban za… . ç’e don ma mirë?
-Po moj, po, atë e dij edhe vetë por a e pae se ç’e gjet Çausheskun?…
-E pashë mirë edhe e mora me mend se ashtu do të perfundojë sepse e pat fillue me i lanë me lehë disa qej rrugash: na i kemi ndry të gjithë… s’guxon kurrkush me lehë. Mandej a e ke pa atë statujën e madhe në mes të sheshit? Sfinks i vërtetë. Kush guxon me lehë?
-Ndigjo Nexhi, kur kjeçë atje e ata miqët tanë më këshilluen mos me ndjekë Çausheskun por me ba edhe na si gjermanët e Aoenackerit.
-Jo, ma mirë po bajmë si Kim Ir Seni i Koresë: po largohemi na e po ua lëshojmë djelmve tanë,… Si të duket? Po vemë djalin tem të madhin e djalin tand, sepse atë të voglin e kam të pandigjueshëm. Ka marrë për grue nji kaurreshë që nuk, ma don kurrsesi hero Haxhi Qamilin… Si thue?…
-Jo, moj jo. A din si asht puna: me vue dy djemt tanë, na çohen kundra shoku Haxhi, Babë Myslymi e të gjithë shokët tjerë, që i kanë djemët ma besnikë.
-Mirë e ke, shoku Ramiz. Kam nji djalë aty në Institutin e Studimeve marksiste-leniniste që nuk e ka shokun; quhet Fatos e asht taman fatos i Enverit, e njof mirë se ai emnin e kishte Foto, por shoku Enver e njofti mirë e ia suell Fatos. Ai i redakton shkrimet e Enverit e i ban aq të bukura sikur i përket njaj klasiku të vertetë. Mendoj se edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës po t’emnohet e kryen me nderë atë detyrë.
-E njof, e njof mirë; taman e ke gjetë. Ma mirë ta ngarkojmë atë si kryesor. Sa për atë të dytin po ta gjejë vetë: asht nji djalë guximtar nga Tropoja. E kemi Doktor të specializuem në Francë: Sali Berisha quhet.
-E njof, e njof edhe unë Salën se ishte në atë ekipin e mjekve të Enverit. Por a të ndigjon se më kanë thanë se baba i nuses së tij ishte argat i UDB-esë jugosllave.
Aq ma mirë sepse kështu gjurmët tona nuk i dikton Europa as Amerika.
-Hajt pra; futju sa ma parë e ta marrin vesht Europa, Amerika e tanë bota!… .
Në zyrën e presidentit të Republikës u paraqit shoku Hekuran Isai, ministër i Punëve të Mbrendëshme për me dhanë informacion ditor.
-Shoku Hekuran, kam në projekt me ba disa reforma të randësishme, por derisa populli nuk i kërkon e kam pak si të veshtirë me i dekretue. Ban si të bajsh e nxiti disa studenta të Universitetit me kërkue përmirsime të gjendjes ekonomike.
-Me i nxitë asht fort e kollajtë por mandej nuk dij ku ndalen sa drue se mos na kërkojnë ma vonë qiqrra në hell e s’kemi ku i marrim.
-Mos u ban marak: na zogun e lshojmë me fluturue sa të dojmë na që mbajmë penin në dorë. Ti e din se kjemë na byroja e kurrkush tjetër që vendosëm me marrë pjesë në Këshillin e Europës me 25 Nandor dhe i kemi ba thirrje Nanë Terezës që të vijë në Shqipni me 6 Dhetor. Disa lëshime të kontrollueme na duhet me i ba doemos se kemi mbetë vetëm si dhi e zgjebtë.
Nanë Tereza erdh në Tiranë e u prit mirë prej Presidentit Ramiz Alia ashtu edhe familjes së Enver Hoxhës, mbi vorr të cilit vuni nji tufë me lule e dy tjera mbi vorret e nanës e motërs së vet në Sharrë, për ma tepër i falen edhe Kishën e shtëpinë e françeskanëve në Tiranë. Por opinioni botnor kërkonte ma tepër: kërkonte “pluralizimin politik”.
Me 8 dhetor 1990 studentat kërkuen kondita ma të mira jeteset: lypen drita, ujë, pastërti e ushqim.
Atë ditë Ministri i Arsimit Skënder Gjinushi shkoi me takue universitarët në revoltë, u bani shumë premtime me fjalë qetësuese por ata paraqiten kërkesa tjera për liri të fjalës, shtypit e pluralizmit politik. Kërkuen takim me presidentin Ramiz. As delegacioni i dytë qeveritarësh e intelektualësh nuk i qetësoi studentat. As takimi me Presidentin nuk solli gja. Atë natë Ramizi pat nji krizë zemre. Çoi e thirri doktorin për ta vizitue. Sali Berisha u paraqit.
-Ndigjo, jam shumë i shqetsuem. Duhen ba reforma politike se i kërkon bota jashtë. Prandej të thirra që të formosh nji parti politike e të shpallim pluralizmin politik…
-Shoku Ramiz, kët gja nuk mund e baj. Jam ushtar besnik i Partisë!…
-Ndigjo mirë, Doktor, e dij mirë se je ushtar besnik i Partisë por sot, unë në funksionin e udhëheqësit kryesor të Partisë, po t’urdhnoj që ti të shkojsh te studentat në grevë dhe shpalle nji parti të re në mënyrë që të formohet pluralizmi politik. Ky asht urdhen i Partisë!
-E si t’ia ngjes emnin Partisë së re?
-Pse?… edhe emnin do t’ia gjej unë?!! Shko!
Me datën 12 Dhetor 1990 Prof. Dr. Sali Berisha shkoi te studentat e Universitetit në grevë që drejtoheshin nga Azem Hajdari dhe aty shpalli pluralizim politik tue formue Partinë Demokratike me nji statut e program minimal.
Mbas ndonji dite u dekretue ligji mbi partitë politike në Shqipni të cilat duhej t’aprovoheshin nga Gjykata e Naltë mbas nji kërkese të firmueme prej treqind autorëve.
Pa u mbushë mirë java në Zyrën e Presidentit u paraqitën dy persona tjerë: z. Sabri Godo dhe z. Namik Hoti. Në takimet veç e veç Presidenti u spjegoi atyne se “pluralizmi politik” kërkonte që t’ishin ma shumë se dy parti, të cilat mandej do të funksjonin në bazë të grupimeve. Kështu ishte Europa Perëndimore që duhej ndjekë.
Presidenti Ramiz i tregoi z. Godo se n’Amerikë ishin dy parti kundërshtare Partia Republikane dhe Partia Demokratike: “i ka nda rrota përgjysë, tha, por politika e don kështu.”
-Shumë mirë. Jam i gatshëm ta provoj.
Z. Godo me shpejtësi të marramendëshme përpiloi Statutin e Programin e “Partisë Republikane” por kur erdh puna me e nënshkrue treqind antarë, ai nuk gjet sepse populli ishte tepër i friguem e thohet se mezi ia firmuen njiqind. Z. Sabri nuk u ligshtue aspak, por dhelpnak, siç ishte, u tha: shkoni ndër vorreza aty gjeni emna sa të doni por mos i shkrueni ditën e vdekjes. Kjo listë u paraqit në Gjykatën e Naltë e cila menjëherë e aprovoi. Statuti dhe programi i gjatë i Partisë Republikane u botuen po në shtypshkrojën, po me atë letër e po me ato shkronja që publikohej revista “Rruga e Partisë”.
Takimi i Presidentit me z. Namik Hotin kje ma i vështirë. Ky e pranoi me andje rolin e Krijuesit të “Partisë së Gjelbër” në Shqipni mbasi ajo në të gjithë Europën ishte nji patericë e partive komuniste. Por kur ra puna e politikës së grupimeve parlamentare ai i tha haptë Presidentit se nuk do të bashkëpunonte kurr me Doktorin se “sikur të hypë maloku në kalë, nuk ka gja që e zbret për veç plumbit.”…
Ndërkaq sheshet e Tiranës i sundojshin Sfinksat e Partisë së Punës së Shqipërisë: Lenini, Stalini e Enver Hoxha. Në ket atmosferë demokratike pluralizmi shqiptar u paraqit në zgjedhjet e fundmarsit 1991, në të cilat fitoi Partia e Punës drejtue prej Fatos Nanos.