Nga Astrit Patozi
Sot e bënë edhe priftin me barrë, mjafton që të flinin edhe një natë të qetë pa ëndrra të këqija me hapje listash. Thanë se OSBE është kundër ndryshimit të sistemit, sepse, sipas tyre, ai duhet të ndodhë një vit para zgjedhjeve. Pastaj e shpërndanë kumtin me gëzim, kudo ku mundën, dhe më në fund morën frymë të lehtësuar.
Për gjithë këtë kryelajm cituan një specialist shqiptar, që punon në Tiranë për organizatën, emrin e të cilit e dëgjoja për herë të parë. Por sigurisht që nuk ka shumë rëndësi rangu i përfaqësuesit të OSBE-së, i cili me sa pashë, kishte mbajtur një qëndrim korrekt në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Sepse ai, në të gjitha rastet, duhet respektuar.
Problemi është se ai i shkreti vetëm atë gjë nuk kishte thënë dhe ia kishin kthyer së prapthi deklaratën në një nga ato shembujt e rëndë të shtypit shqiptar, kur titulli është krejt e kundërta e tekstit.
Zoti Florian Hobdari kishte deklaruar mes të tjerash që OSBE ka marrë pjesë aktive në debatin për ndryshimin e sistemit që në shtator të vitit 2019, pra gati dy vjet para mbajtjes së zgjedhjeve. Dhe se ajo ofron ndihmë dhe bashkëpunim për çfarëdo sistemi, që do të zgjedhë Shqipëria, sepse atë detyrë ka. (Sa për kujtesë, ndryshimi i fundit në sistemin tonë elektoral ka ndodhur në 2008-tën, ndërsa zgjedhjet u mbajtën një vit më vonë.)
Por edhe nëse do të kishte qenë ndryshe, që vërtetë zoti Hobdari të jetonte me hallin e zotit Luli Basha, si ka mundësi që iu zgjua sot dashuria për OSBE-në atyre sovranistëve të çartur, që nuk e kanë dashur asnjëherë nëpër këmbë, që nga kohërat kur s’mbahet mend?
Nëse vërtetë do ta kishin respektuar një ditë apo një herë të vetme, ata nuk kishin nevojë të prisnin zotin Hobdari, që pastaj të spekullonin me deklaratën e tij, por duhet të kishin miratuar keyerekomandimin e ODIHR-it në shumë palë zgjedhje rresht për depolitiizmin e komisioneve.
Ndaj të mos lodhen kot, duke u fshehur pas një gjoja qëndrimi të OSBE-së, që na qenka kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Sepse edhe po ta kishin realisht mbështetjen e saj nuk do t’u bënte punë. Pasi ia ka hedhur në kosh të gjithë investimin disavjeçar për të shëruar zgjedhjet tona me mosdepolitizimin e komisioneve, duke na e lëkundur shumë edhe ne të tjerëve besimin tek serioziteti i OSBE-së dhe faktorit ndërkombëtar në përgjithësi, i cili deri para pak javësh mbështetej fort tek rekomandimet e saj për Shqipërinë. Gjë që u përmbys ditën e nënshkrimit të marrëveshjes famëkeqe të Këshillit Politik.
Por kjo ndoshta është një çështje më vete, që duhet trajtuar një ditë tjetër.
Sistemi duhet ndryshuar sa me shpejt