Zhaneta Josifi bashkë me të bijat ndërmorën aktin e rëndë të vetëflijimit, duke besuar se do të ringjalleshin, ndërsa ato ishin edhe praktikante të një sekti fetar.
Ngjarja në Kombinat, ku nënë e bijë u vetëflijuan, dhe vajza tjetër e familjes ndodhet e shtruar në spital, tronditi opinionin publik.
Disa shënime me fjalë të Dhiatës së Re dhe vetë libri i shenjtë me nënvizime e të ngjyrosura me ngjyrë jeshile, që janë mbajtur nga vajzat Josifi, janë sekuestruar nga Policia në apartamentin e familjes Josifi.
Në banesën e tyre, ku dyshohet se qëndroi e pajetë prej 15 muajsh Anisa, janë gjetur objekte me natyrë fetare e përkatësisht, tekste të shkëputura nga Dhiata e Re.
“Jezusi ta di emrin”, shkruhet në një prej objekteve të gjetura në shtëpi.
“Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them Ai që dëgjon fjalën Time dhe i beson Atij që më ka dërguar Mua, ka jetën e amshuar dhe nuk i nënshtrohet gjykimit, por ka kaluar nga vdekja në jetë”.
Një pjesë e shënimeve janë sekuestruar nga Policia, teksa po hetohet për zbardhjen e ngjarjes dhe motovet që çuan nënë e bijë drejt vetëflijimit.
Të tjera, mes tyre edhe një ditar, vazhdojnë të jenë në apartamentin e familjes Josifi.
Ditari dhe shënimet
“Dhe në qoftë se fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me atë të frymës së tij që banon në ju”, ky ishte një nga nënvizimet në Dhiatën e Re, me kapak të zi, që u gjet në shtëpinë e familjes Josifi.
E shumë shënime të tjera si kjo duket se hedhin dritë mbi vendimin ekstrem të nënës e dy vajzave për t’u vetëflijuar. Besimi në ringjallje duket se i kishte bindur deri në atë pikë sa kanë qëndruar pa ngrënë për ditë e ditë të tëra, deri në vetëflijim.
Gjatë kohës që kanë qëndruar brenda, të paktën prej 15 muajsh, aq kohë sa u mbajt në shtëpi trupi i pajetë i Anisa Josifit, nënë e bijë që vendosën të agjëronin për ta ringjallur, duket se janë munduar të gjejnë në librin e shenjtë që besonin, arsyen se përse po vepronin në këtë formë.
“Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt. Kështu luftoj, por jo sikur rrah erën, madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’i përjashtuar”, janë cituar “Korintasit” e Dhiatës së Re, në një prej faqeve të ditarit që u gjet në shtëpinë e familjes Josifi.
Në librin e shenjtë që ato mbanin në shtëpi, është nënvizuar me ngjyrë të kuqe fraza: “Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por fle. Dhe ata e përqeshnin. Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit”.
Duket se kjo ishte nënvizuar dhe mbahej mend shumë mirë edhe nga Zhaneta Josifi, e cila në jo pak raste u kishte thënë të afërmve që Anisa po flinte, kur ata e pyesnin se ku ndodhej.
/a.r