Këngëtari i grupit të njohur shqiptar ‘Aurora’, Ylli Valla ka rrëfyer ditën e djehsme se pas shfaqjes së disa shenjave të COVID-19 ka shkuar në Kliniklën Infektive ku ka bërë edhe tamponin dhe rezultoi pozitiv.
Këngëtari rrëfen se u vetizolua me familjen në shtëpi prej ditës së martë, por shton se është mirë me shëndet, përveç disa shqetësimeve të vogla.
“Nuk kam pasur ethe dhe temperaturë, kam pasur kollë, hundë dhe djersitje. Ndërsa nuhatjen dhe shijimin nuk i ndjej më fare. Ushqehem, por nuk ndjej as shije, as aromë. Është shumë e çuditshme kjo pjesë, por po shpresoj që do të më kthehen”, -tha ai.
I pyetur nëse ka dyshime se ku mund ta ketë marrë virusin, këngëtari është shprehur se mund të ketë ndikuar lehtësimi i masave në Kosovë dhe hapja e aktiviteteve. Por duke qenë se ai punon në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe është në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëz, nuk përjashtohet mundësia ta ketë marrë edhe në punë.
Për sa i përket muzikës, Ylli rrëfen se nuk e ka braktisur, por së bashku me pjesëtarin tjetër të grupit “Aurora” po përgatiten për t’u rikthyer. Ai shtoi se është shumë nostalgjik për vitet kur grupi ishte në kulmin e tij dhe se ndihet krenar që edhe pse kanë kaluar 15 vite nga “Lele kaçurrele”, njerëzit ende nuk e harrojnë.