Nga Ben Andoni
Ajo që po i shqetëson tani të gjithë njerëzit në Kosovë është një dhe vetëm një. Ku do të shkojë kjo udhë e nisur e protestave të dhunshme? Në analiza të pafundme kanë filluar kalkulimet por edhe hamendësimet. Kanë mbetur dhe pak javë kur Kosova të ketë presidentin e ri dhe me shumë gjasa, situata do të ketë një fizionomi tjetër, por një të njëjtën rrjedhë. Pa shpresën.
Që kur u zgjodh znj. Atifete Jahjaga në krye të shtetit kosovar, e në atë formë sesi i u zgjodh, është parë se të gjitha institucionet kosovare janë shumë kaotike. Gjithnjë e më shumë tashmë ka analiza të personaliteteve që kontribuuan për pavarësinë e që e theksojnë këtë dhe madje shkojnë dhe shumë më tej, kur thonë se: dështimi i Kosovës është dështimi i vetë Evropës. Shqipëria, atdheu amë, mbase nuk e ka momentalisht situatën e Kosovës (anipse mëtohet se mund të shkojë edhe aty) por ka njësoj një handikap të madh me presidentin e saj, që në asnjë moment, falë dhe mungesës së gatishmërisë qeverisëse, të gjejë gjuhën institucionale dhe të ekuilibrojë palët. E përbashkëta në Shqipëri dhe në Kosovë është se u zgjodhën si simbole shtetërore dy personazhe, që nuk e mbajnë dot këtë barrë. Ndaj të dy vendet tona janë në luftë me vetë veten dhe në beteja që nuk ua dinë fundin.
Dhe, ndodh që në Kosovë sot dhe në ditët në vijim do të vazhdojë protesta dhe presidentja me tagrin dhe reputacionin që ka nuk mund të bëj dot asgjë. Por se mos vetëm kjo: Kosova, vetë, ka humbur respektin për institucionet themelore dhe kjo po shihet në mënyrën sesi trajtohet Gjykata Kushtetuese, ku orët e fundit i kanë vënë granatë dhe Institucionet e tjera njësoj. Të gjitha fakte që të trishtojnë prej mungesës së vizionit dhe mbi të gjitha bashkëpunimit mesveti.
Sido që ta rrotullosh Kosovën në krye të zgjedhjeve edhe për disa vjet të tjera do të jenë gjithnjë PDK ose LDK, ndërsa Vetëvendosja për fatin e saj do mbetet gjithnjë pas tyre. Ç’ka do të thotë se ashpërsimi i tyre vërtetë mund të jetë kreshendo në ditët në vijim, por ai si zor t’i çojë diku më larg se kaq. Nëse Gjykata Kushtetuese u shpreh kundër Asosacionit dhe një organ arbitrazhi mund të gjykojë në të ardhmen për demarkacionin, që do të thotë se ka zgjidhje; kjo formë proteste e lodhshme ia vlen të ketë një drejtim tjetër, sepse një energji e pafundme po shkon dëm. Të paktën, e keni shembullin nga Shqipëria që këtë herë shikon nga larg dhe nuk di të thotë asgjë…pasi nëse do të thoshte do të tregonte se institucionet e pavarura që kemi nëpërkëmbur në të dy vendet tona, tashmë po na venë përpara me vetë kaosin tonë.