Djali 11-vjeçar Alvin Berisha, i cili u shpëtua nga kampi Al Hol në Siri ka mbërritur në Durrës me babain e tij.
Afrim Berisha ka postuar në profilin e tij në Instagram disa foto me djalin e tij pranë portit.
Djali duket se është në gjendje të mirë shëndetësore. Pas largimit nga kampi Al Hol, ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë.
Ai mbeti i plagosur gjatë një atentati me bombë në Siri ku fatkeqësisht humbi jetën nëna e tij.
Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha shkoi drejt Sirisë me të ëmën që ka dashur t’i bashkohej ISIS-it. Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 ka emigruar në Itali, ku edhe ka rënë pre e propagandës fetare radikale islamike.
Ajo humbi jetën nga një bombardim kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, ngjarje gjatë të cilës është plagosur rëndë edhe Alvini. U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen e tij nga kampi i ferrit dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij.
Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp.
g.kosovari