Analisti Skëndër Minxhozi deklaroi se do të ishte legjitime nëse akuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi për krime lufte, do të ishte bërë publike nga Gjykata e Hagës në një nga 356 ditët e vitit dhe jo pikërisht teksa kreu i shtetit kosovar udhëtonte në Uashington.
Përballë një paneli me analisë në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Minxhozi theksoi se ajo datë e aktakuzës është e kërkuar, ndërsa shtoi se Thaçi ka dashur që të faktorizohet përballë Serbisë.
“Mendoj se akuza ndaj Thaçit mendoj se do kishte qenë akuzë ligjore, për t’u prodhuar më tej nga gjykatat dhe jo diçka tjetër, nëse do të ishte bërë në cilën do prej 356 ditëve, por jo ditën kur ai udhëtonte në Uashington. Unë mendoj se ai prokuror nuk është idiot.
Ose ajo datë e aktakuzave është e kërkuar dhe ne na mbetet që të gjejmë se cilat janë arsyet. Se di pse kjo aktakuzë e prodhuar në prill, hidhet kur Kosova do të ulet përballë fushës së shahut me Serbinë. Sa do të prirur të jemi që këtë të shohim ftohtë, brenda një zyre në Hagë që ka pasur maturi në një dokument dhe e nxjerr atë në këtë datë, mendoj se nuk duhet të jemi naiv. Do e hedh këtë hipotezë për të gjetur armikun. Mendoj se me Hashim Thaçin po luhet ajo loja e atij që po bën pazarin dhe rrezikohet që të kthehet pjesë e pazarit. E kam parë presidentin e Kosovës që e ka mbajtur fortë tezën e korrigjimit kufitar ku thoshte; nuk do falim tokë, por do të rregullojmë kufirin.
Mendoj se Thaçi u ka dashur që të faktorizohet dhe të futet në akordin me Serbinë, ku i gjithë ky proces do t’i kthehej dhe në një moment të fortë imuniteti politik e personal. Kush ka dashur që të ulte në ajër nivelin e Avdulla Hotit, dhe ti heq virtualisht dy krerët e negociatave më të rëndësishme përballë Serbisë. Këta faktorë kanë bërë që ai takim të hidhet në erë. Me duart e një numri prokurorësh që kanë formuluar një akuzë dhe e hedhin si rastësisht. Pa filluar negociatat po fillon që jo vetëm të zhbëhen ato, po mundohet të goditet dhe ai që është udhëheqësi i negociatave. Kur Vuçiç t’i thoshte Serbisë; që u munduam që të mos njihnim Kosovën, ama UÇK-në e futëm në burg.”, pohoi ai.