Presidenti Ilir Meta duket se e ka harruar se nuk është më kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për shkak se ishte kthyer në një institucion “qokash”, që mbronte gjyqtaret e akuzuar per shkelje, reforma në drejtësi e mbylli këtë institucion që drejtohej nga presidentët.
Por presidenti ben sikur ende ka në dorë sistemin gjyqësor, pasi së fundmi ka marrë rolin e negociatorit për të futur në shina Gjykatën Kushtetuese. Ndonese sipas ligjit, KLD tashme eshte shkrire dhe per pasoje s’eshte as kryetar.
Ndonëse ambasadorja amerikane ja bëri të qartë se duhet të mbajë duart larg gjykatës, presidenti ka hedhur një hap tjetër drejt vrasjes së pavarësisë së drejtësisë.
Ashtu sikundër e paralajmëroi në konferencë shtypi, Meta ka nisur t’u dërgojë të gjitha institucioneve variantin e përkthyer të raportit të Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenca ka publikuar në faqen e saj zyrtare versionin në shqip, ndërsa mësohet se ky draft ka nisur të shpërndahet në institucionet e tjera. Por skandali nuk qëndron me kaq, pasi në ditët në vijim raporti do të pasohet me shkresa.
Meta ka hartuar nga një listë me detyra për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën e Lartë dhe për Kuvendin.
Sipas informacioneve, këtë javë këto shkresa do i dërgohen institucioneve me qëllim që të zbatojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Njw gjw e tillë u paralajmërua dhe nga Meta në konferencën për shtyp të premten.
“Do ja u dërgoj të gjithëve se çfarë detyrash i bie të ketë Parlamenti, çfarë detyrash do ketë KED, KLGJ, apo Gjykata e Lartë”, tha Meta.
Me këtë lëvizje duket se i jepet një goditje e fortë pavarësisë së drejtësisë. Një ndër qëllimet e reformës në drejtësi ishte pikërisht që të hiqej dora e politikës dhe të kufizohej roli i presidentit. Më përpara presidenti ishte kryetar i KLD dhe ai emëronte e shkarkonte këdo gjyqtar që të donte. Po ashtu për çdo prokuror që emërohej, shkarkohej dhe transferohej vendoste po presidenti pas propozimit të kryeprokurorit.
Me ligjet e reja Meta ka rol vetëm në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, por rol minimal. Në Kushtetuese zgjedh 3 emra, ndërsa dekreton anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Por në momentin që presidenti u jep detyra institucioneve të drejtësisë, duket se kjo është një goditje madhe për reformën.
Meta ka shkelur hapur pavarësinë e drejtësisë. Sulmet e tij ndaj KED janë një tregues, ndërsa duket se pre e presioneve të tij ka rënë dhe KLGJ, ku fillimisht i kërkonte llogari për Gjykatën e Lartë, ndërsa më pas dhe për shkarkimin e Dvoranit.
Në korrik të 2019, përmes një letre Meta i kërkonte KLGJ sqarime mbi procedurat për funksionimin e Gjykatës së Lartë.
Ndryshe nga KED, në rastin e Gjykatës së Lartë, Meta është vetëm firmëtar. Emrat i zgjedh KLGJ dhe Meta thjesht i dekreton, siç bën me ministrat apo ambasadorët. Pra nuk ka asnjë rol në këtë mes dhe letra drejtuar KLGJ ka qenë padyshim shkelje pavarësie.
Në javët e fundit kemi dy raste të tjera. E para është kërkesa për shkarkimin e Dvoranit. Tjetër rast kemi shkresa për Kodin Penal, ku Meta kërkonte sqarime mbi masat ndërgjegjësuese.
Pra kemi shkelje flagrante të pavarësisë së gjyqësorit. Nuk ka mbetur pas as organi më i rëndësishëm i reformës në drejtësi, Prokuroria Speciale. Meta ka paditur Ardian Dvoranin, ministren e Drejtësisë dhe disa funksionarë të tjerë dhe në shumë intervista e deklarata publike e ka shantazhuar këtë institucion duke kërkuar që të ndëshkojë emrat në fjalë, madje ka arritur deri aty sa ka thënë se nëse nuk ndëshkohen atëherë SPAK ka rënë, pra një shantazh i pastër.