Aktakuza me dhjetë pika kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK, Kadri Veseli, të cilët akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, reforma në drejtësi, deklaratat e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, u shpreh se akuzat ndaj presidentit Thaçi janë tendencioze dhe se u bënë për të prishur dialogun në SHBA. Sipas tij, presidenti Thaçi nuk është përfshirë në krime lufte gjatë kohës që ka qenë në krye të UÇK.
-Zoti Klosi, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti pak ditë më parë Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej gjykatës, ku presidenti Hashim Thaçi; kreu i PDK, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Si e shihni ju këtë aktakuzë?
Kjo për mendimin tim është një akuzë e nisur në kuadrin e tentativave për vënë në të njëjtin nivel si agresorët serbë, ashtu edhe mbrojtësit e popullit të Kosovës, që në këtë rast janë presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK, Kadri Veseli, etj. Por kryesorja nuk është kjo. Për mendimin tim kryesorja dhe që duhet analizuar është momenti i papërshtatshëm që është zgjedhur për të paraqitur këtë aktakuzë dhe për ta shpallur tre ditë para se të mbahej takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë midis liderëve të dy vendeve të Ballkanit, e cila ishte një mundësi për ta që të fillojnë një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit. Pra, aktakuza u bë publike para se të mbahej në Uashington ky takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë që konsiderohej si një takim tepër i rëndësishëm. Kështu që, zgjedhja e momentit tregon që ata që e kanë gatuar këtë aktakuzë nuk janë dashamirës së dialogut Kosovë-Serbi dhe sidomos për prosperitetin e Kosovës.
-Në korridoret e politikës dhe mediave të rajonit, por edhe ato ndërkombëtare ka zëra se bërja publike e kësaj aktakuze tre ditë para se liderët e Kosovës dhe Serbisë të takoheshin në Uashington ka pasur si qëllim pikërisht sabotimin e këtij takimi. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Shiko! Këto nuk janë zëra, por duket qartë që bërja publike e kësaj aktakuze duket qartë që ka pasur si qëllim pikërisht sabotimin dhe hedhjen në “erë” të këtij takimi. Pra, kjo aktakuzë u bë publike dhe ia arrti qëllimit për të sabotuar takimin e Uashingtonit, pasi u anulua dhe nuk u bë. Kjo do të thotë se qëllimi dhe pas kësaj fshihet një dorë që nuk e do të mirën e Kosovës.
-A mund ta konsiderojmë ose quajmë këtë si një hakmarrje të Bashkimit Europian, duke qenë se ky i fundit u anashkalua në dialogun Kosovë-Serbi dhe dirigjimin e takimit e mori Uashingtoni?
Jo, nuk mund ta themi, Bashkimi Europian se është fjalë e madhe. Pra, BE nuk është direkt prokurori që bëri shpalljen e aktakuzë. Por prokurori që bëri shpalljen deri diku është përgjegjës. Në këtë kuadër theksoj se takimi i 27 qershorit ishte një mundësi e mirë për hapjen e dyerve për zhvillim dhe investime ekonomike për Kosovën dhe Serbinë. Këtë e kanë deklaruar edhe amerikanët që do të diskutohej për zhvillim ekonomik dhe se diskutimin politik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ia linin Brukselit. Kështu që nga kjo pikëpamje nuk besoj se ka xhelozi mes Amerikës dhe Bashkimit Europian. Tani komente dhe diversione ka plot, por unë nuk mund ta them që ishte një hakmarrje e Brukselit ndaj Uashingtonit. Dhe në këtë mes nuk ka vend apo shfaqje të xhelozisë.
-Po Serbia ka gisht në këtë mesele, duke qenë se edhe kryeministri Edi Rama pak ditë më parë e pranoi që Beogradi ka fituar terren në diplomaci. Kështu që, duke qenë se Serbia lobon fort në diplomaci, mund të ketë kurdisur edhe këtë strategji. Keni një koment?
Këtu ka një gjë. Pra, e gjitha kjo që ka ndodhur çon ujë tek mulliri serb, meqenëse Serbia, sidomos tani pas fitores së madhe që pati presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e fundit paralementare e ka fuqizuar Vuçiçin dhe faktori shqiptar shihet më i dobët, pas këtyre akuzave. Kështu që, duke qenë se Serbia është një vend me i konsoliduar në Europë, me miq shumë dhe në kushtet kur Beogradi po luan fort në arenën ndërkombëtare, si me Rusinë, ashtu edhe me Perëndimin, tregon që ajo ka gisht në këtë mesele. Mos harroni që Brukseli po i lutet Beogradit që të hyjë në Bashkimin Europian. Dhe nga kjo pikëpamje duke qenë se Serbia ka eksperiencë të fortë diplomatike dhe se të gjithë qytetarët serb janë të grumbulluar rreth presidentit Aleksandër Vuçiç mund të themi se kjo aktakuzë ka nxitje edhe nga Beogradi. Populli serb është unifikuar tashmë dhe janë një zë me presidentin Vuçiç. Ndryshe nga situata në Kosovë që është e brishtë, pasi sapo është ka rënë një qeveri dhe është krijuar një e re, që nuk ka filluar ende punën tamam. Po ashtu edhe problemet që janë në Shqipëri. Kështu që nga kjo pikëpamje dua të theksoj se kryeministri Edi Rama ka të drejtë.
-A besoni se në marrëveshjen e re Serbi-Kosovë do të ketë shkëmbin të territoreve?
Shiko! Gjithë faktori ndërkombëtar e ka deklaruar se nuk do të ketë shkëmbime territoresh. Edhe Bashkimi Europian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë deklaruar se shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës nuk është në tryezën e dialogut dhe rrjedhimisht edhe në diskutim. Problemi që dhe amerikanët kërkonin t’i jepnin zgjidhje ishte që të bëhej progres në fushën ekonomike mes dy vendeve dhe sidomos në tërësi në rajon. Dhe pas kësaj zgjidhjet politike të ishin më të kollajshme. Pra, këtë hap ta bënin me zgjidhjen e Amerikës dhe hapin tjetër, që është politik, ta merrte në dorë Brukseli. Por shkëmbimin i territoreve ka dalë nga skena.
-Megjithatë, në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuar shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. A besoni se zoti Thaçi gjatë kohës që ka qenë në krye të UÇK ka kryer krime?
Shiko! Këtë e dinë ata që kanë bërë hetimet, të cilët natyrisht do të vijojnë akoma. Por unë nuk besoj të ketë dhe të jenë bërë krime kundra njerëzimit gjatë luftës nga ana e palës kosovare. Ky është një term shumë i madh që thuhet se Thaçi akuzohet për 100 të vrarë. Kështu që nga kjo pikëpamje krime lufte hajde mund të ketë, por krime kundër njerëzimit nuk besoj. Pra, në luftë dhe duke qenë se është luftë ka gjithmonë krime lufte. Por nuk besoj se ka qenë zoti Thaçi, Veseli, etj. udhëheqës të UÇK që kanë kryer krime. Këta janë njerëz shumë të lartë dhe kanë pasur peshë në UÇK dhe nuk besoj se kanë marrë pjesë apo kanë bërë krime kundër njerëzimit. Por këtë le ta thotë pala akuzuese dhe jo ne. Por nga ana tjetër unë jam i sigurtë që Thaçi, Veseli dhe të tjerë do të dinë si të mbrohen dhe se ata shkojnë ballëlartë në Tribunalin e Hagës për të dhënë sqarime.
-A mendoni se zoti Thaçi, Veseli dhe të tjerë do të dinë të mbrohen nga këto akuza?
Shiko! Gjatë këtyre viteve pas luftës kemi parë që akuza ndaj udhëheqësve të UÇK-së janë bërë plot. Nga kjo pikëpamje akuzat bëjnë gjënë e tyre, si në opinionin publik, ashtu edhe në media duke “njolluar” në një farë mënyre udhëheqësit kosovarë. Por në kushtet kur shumë akuza janë bërë në adresë të udhëheqësve të Kosovës dhe janë shumë pak nga pala kosovare që janë dënuar. Kështu që, siç ndodhi me Ramushin dhe me të tjerë që rranë akuzat dhe dolën të pafajshëm, edhe në këtë rast besoj se zoti Thaçi dhe Veseli do të dinë të mbrohen.
-A ka ardhur koha që politika mbarëshqiptare të faktorizohet dhe unifikohet për këtë çështje?
Po ka ardhur dhe ky është momenti më i mirë për të flakur tej mëritë dhe për t’u bashkuar të gjithë bashkë. Por gjithsesi kjo gjë tanimë ka ndodhur, pasi të gjithë udhëheqësit dhe politikanët, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri janë një zë dhe janë rreshtuar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, madje dhe luftës së UÇK-së. Pra, reagimi i faktorit shqiptar ka qenë i menjëhershëm dhe në një zë. Por dua ta theksoj se ata që e bënë këtë aktakuzë publike në këtë kohë edhe pas dy muajsh pasi ishte bërë, nuk janë dashamirës së Kosovës dhe popullit të saj. Ose nëse më lejoni ta shtoj, bërja publike e aktakuzës tre ditë para takimit të Uashingtonit ishte tendencioze dhe se është bërja nga persona që nuk e duan popullin shqiptar në të gjitha trevat ku ai ndodhet.
-Të dalim pak nga çështja e Kosovës dhe le të përqendrohemi në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Fundjavën që lamë pas çështja ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri rikthehet sërish në pikën zero, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi që aktet t’i shkojnë sërish Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Keni një koment?
Sigurisht që është një çështje shumë e shëmtuar dhe me të drejtë zoti Saimir Tahiri është revoltuar pasi ka tre vite që nuk po merr zgjidhje. Ky është një defekt i sistemit të drejtësisë, ku pas tre vitesh që kanë filluar hetimet dhe pas tre vitesh që ish-ministri ka dhënë dorëheqjen si deputet dhe është bërë i ndërgjegjshëm që nuk po shkonte si politikan, pro si një qytetar i zakonshëm dua të them se kjo është bërë një çështje shumë e shëmtuar. Gjykata nuk po sillet me Tahirin si një qytetar i zakonshëm, pro po sillet më keq. Një akuzë kaq e madhe që iu bë Tahirit, u rrëzua në Shkallën e Parë dhe akuza që ai është dënuar u sajua nga gjykata dhe nuk është kërkuar nga prokuroria. Kështu që, tani që çështja u kthye në pikën zero, kjo gjë bëhet e shëmtuar dhe duken qartë që akuzat nuk janë të kopsitura. Megjithatë, shpresojmë që SPAK nuk do ta zvarrisë këtë çështje, pasi prandaj u ngrit kjo që drejtësia të jetë autoritare, profesionale dhe objektive, ta pavarura nga politika. Dhe të shpresojmë që të jepet vendimi i drejtë për zotin Tahiri, pasi një zvarritje e tillë e çështjes është më e rëndë se një dënim. Si i thonë: “drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”.
-Pak ditë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim teksa komentoi opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, bëri thirrje që të plotësohet Gjykata Kushtetuese, por gjithashtu kërkoi që politika të qëndrojë larg reformës në drejtësi. Si ju duket kjo deklaratë?
Komenti im është ai që kemi bërë gjithmonë. Domethënë reforma në drejtësi u bë me ndihmën e SHBA dhe BE, që sistemi i drejtësisë të funksionojë jashtë influencës politike. Kështu që, nga kjo pikëpamje ambasadorja Yuri Kim ka të drejtë dhe deklarata e saj është e drejtë dhe vjen në momentin e duhur, ku palët politike po bëjnë luftë për të futur të vetët në Gjykatën Kushtetuese. Pra, në kushtet kur sistemi i vjetër i drejtësisë ka qenë i kapur dhe i kondicionuar nga politika, amerikanët investuan që drejtësia e re të jetë e pavarur dhe e ndershme. Ka ardhur koha që politika të qëndrojë larg drejtësisë së re dhe se deklaratat e ambasadores Kim janë të drejta dhe tejet objektive.
g.kosovari