Epidemia e Covid-19 po sillet siç e kishim menduar dhe ‘krahasimi është me Gripin Spanjoll: ai u zbut në verë dhe u rikthye më i ashpër në shtator dhe tetor, duke shkaktuar 50 milionë viktima gjatë valës së dytë, që ishte më e keqe se e para,” thotë Ranieri Guerra, nëndrejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë një interviste për Rai 3, duke iu përgjigjur letrës së ekspertëve që flasin për emergjencë të përfunduar.
Duket e mbaruar, por nuk është kështu
Guerra vazhdoi pa mohuar që virusi aktualisht është zhdukur nga klinika, por shtoi se edhe pse duket se gjithçka ka mbaruar, nuk është kështu. “Shikoj faktet dhe faktet thonë se gjenomi i virusit është akoma i njëjtë dhe se prirja e një epidemie si kjo është e parashikueshme gjerësisht. Ka një zbritje që përkon me verën. Masat paraprake që po ndërmarrim kanë për qëllim kufizimin e qarkullimit të virusit kur ai të rifillojë,” përfundon ai.
Virus sezonal
Viruset e ajrit si koronaviruset dhe rinoviruset, zakonisht vijnë në sezonin e ftohtë sepse riprodhohen në hundë dhe traktin respirator, të cilat gjatë dimrit janë më të prekshme ndaj infeksioneve. Me ardhjen e verës, infeksionet për këtë lloj virusi bien, zakonisht në tremujorin e dytë të vitit. Fakti që jemi jashtë dhe jo në hapësira të mbyllura, funksionon në favorin tonë: ardhja e verës me pak fjalë mund të na ndihmojë, por nuk do e ndalojë koronavirusin, raportojnë mediat italiane.
Infeksione edhe në verë.
Këtë po e shohim në SHBA, që ka regjistruar afro 40 mijë raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit. Sipas të dhënave, ekziston një rekord i ri ditor prej 39.972 infeksionesh të reja, që e çon numrin total në 2.422.299, përfshirë 124.410 vdekje. Infeksionet shtohen në shtete ku temperaturat arrijnë deri në 40 gradë, çka tregon se epidemitë nuk mbarojnë vetë, por ato duhet gjithsesi të kufizohen.
Disa studime
Në vazhdën e këtij arsyetimi, redaksia e revistës shkencore The Lancet thekson se pandemitë na ofrojnë një mësim të rëndësishëm: për të përballuar një valë të dytë të mundshme, një mjet parandalimi nuk është i mjaftueshëm, por duhen kombinuar disa masa. Drejtori i revistës, Richard Horton kujton se në rastin e Spanjollit, vala e parë erdhi mes marsit dhe korrikut 1918, ndërsa në gusht ndodhi një valë e dytë, më e keqe se e para. Sipas Tim Spector, epidemiolog në Kings College London, ardhmja e një vale të dytë mund të shmanget nëse të gjitha infeksionet e reja identifikohen brenda 48 orësh. Për ta bërë këtë, do të ishte e nevojshme një fushatë informimi e publikut, pasuar nga vetizolimi në një fazë të hershme, në mënyrë që të zvogëlohet infeksioni. Instituti i Vlerësimit dhe Statistikave të Shëndetit në Siatëll, SHBA, parashikon një valë të re mes shtatorit dhe dhjetorit, duke sugjeruar izolime të shkurtra dyjavore, pasuar nga rihapje mes dy dhe gjashtë javësh, që mund të jenë të mjaftueshme për të ngadalësuar qarkullimin e virusit.
Përgatituni mirë
Për të luftuar pandeminë Covid-19, duhet të merren masa në disa fronte, pa përjashtuar më të rëndësishmet: ato të përgjegjësisë personale, larja e duarve, veshja e maskave, mbajtja e distancës sociale. Gjëja më e rëndësishme është që të përfitoni nga kjo periudhë që mos shkojmë në valën e dytë të papërgatitur dhe me shumë njerëz pozitiv dhe të vështirë për t’u monitorua.
g.kosovari