Pas 30 vitesh që stacionet e pompimit kishin dalë jashtë funksioni tashmë me shumë se 80 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Çërragë dhe Kosovë të Belshit do të kënë sistemin e vaditjes. Deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla tha se u realizua një investim i shumëdëshiruar për fermerët e këtyre zonave të cilët nuk arrinin të prodhonin për shkak të mungesës së ujit.
Balla sëbashku me deputetin Musa Ulqini dhe Kryetarin e Bashkisë Arif Tafani panë nga afër ecurinë e punimeve ndërsa biseduan edhe me banorët e zonës.
“Po investojmë në plot vepra të mëdha në infrastrukturën bujqësore. Jo vetëm vënia në punë e kanaleve vaditëse të cilat kanë furnizuar me ujë vaditës shumë zona bujqësore, por në këtë investim kemi mbajtur një angazhim, i cili në fakt ka qenë angazhim i çdo politikani në 30 vite. Gjithmonë është thënë që do të vendosen në punë stacionet e pompimit, por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Ky stacion pompimi pushoi së funksionuari në vitin 1992 dhe tashmë është vendosur në punë, duke u zëvendësuar motorpompa, dhe duke u rivendosur i gjithë kanali. Është një investim shumë i madh, por po kaq e madhe ishte edhe rëndësia që kishte, pasi 80 ha lidhen drejtpërdrejt me këtë kanal. Belshi nuk është vetëm destinacioni kryesor turistik i qarkut të Elbasanit, por edhe produktet e tij bujqësore janë të lidhura me turizmin pasi, siç e themi çdo ditë, në këtë kohë të vështirë shumë e rëndësishme është të konsumojmë mallra dhe prodhime shqiptare.”,- deklaroi Balla.
/e.rr