Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli pas shembjes së fasadës së Teatrit Kombëtar ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor për pajisjet dhe materialet që i mungojnë këtij institucioni. Nga inventari i mbyllur në 29 maj 2020, mësohet se ka mungesë të materialeve afërsisht në vlerën 20 milionë lekë.
Për këtë arsye, drejtori i këtij institucioni Hervin Çuli i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, me një kallëzim 6-faqësh, ku jo vetëm pasqyron numrin e artikujve që mungojnë, por bën edhe një përmbledhje të situatës nga korriku i 2018-ës, kur Teatri Kombëtar u zhvendos tek ArTurbina, deri në 17 maj, që u shënua akti final i rrëzimit të objektit.
Për të evidentuar mungesat në inventarin e bërë, stafi i Teatrit Kombëtar i është referuar gjendjes kontabël të inventarit të korrikut të vitit 2019, që kap shumën e 41.516.539 lekë. Sektorët që kanë shënuar humbjet më të mëdha në kosto janë ai dekoreve fondale, garderoba, reparti i ndriçimit, skena etj. Ndërsa sa i përket numrit më të madh të pajisjeve dhe materialeve që kanë humbur për sektor, sipas pasqyrimit që bëhet në kallëzimin penal, duket se janë shënuar nënë Magazinën Qendrore, ku mungojnë 6644 prej materialeve që mbaheshin aty. Po ashtu nga rekuizita mungojnë plot 1974 pajisje, për të vazhduar më tej me gardërobën, ku mungojnë plot 1818 artikuj.
Referuar po këtij kallëzimi, sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar, duket se “rezulton e humbur e gjithë arkiva me dokumente e Teatrit Kombëtar para vitit 2012”. Në 34 sektorë, mungojnë gjithsej 12450 artikuj (12 mije e 450 artikuj).