Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se në vendin tonë po vërehen tre dukuri në sfidën ndaj Sars-Cov2 që shkakton sëmundjen e COVID-19. Ato janë shtimi i rasteve në përgjithësi, shtimi i të sëmurëve, dhe prekja e moshave të reja që deri dje ishin të paprekura.
“Ajo që më shqetëson më shumë është rritja e numrit të pacientëve si në banesë po ashtu edhe në spital. Kalimi i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar. Në këtë fazë të pandemisë a mund të bëjmë ne diçka më shumë për të parandaluar apo për të përmirësuar situatën e këtij infeksioni? PO!
A kemi nevojë për masa drastike izolimi? JO!
Kush është mënyra më e mirë për të vepruar në këtë moment? RESPEKTIMI I RREGULLAVE. Patjetër që varet nga ne, thjesht të respektojmë disa rregulla të thjeshta.
Z.Brataj thotë se domosdoshmëri është përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ndofta është momenti që të ngrejmë zërin kur shikojmë persona të tjerë brenda këtyre ambienteve pa maskë. Ruajtja e distancës 1,5-2 metra në këto ambiente. Dezinfektimi i duarve në hyrje të çdo ambienti të mbyllur pa përdorur doreza.
Gjithashtu ai apelon për karantinim dhe distancim fizik për të gjithë ata që rezultojnë të infektuar.
“Nëse ke pasur kontakt me persona të infektuar dhe shfaqen shenja e simptoma konsideroje veten si të infektuar. Mos përdor maskë në ambient të hapur nëse nuk je prekur nga infeksioni. Mos përdor doreza në ambient të hapur.”, – këshillon z.Brataj.