Në dy ditët e para të hyrjes në fuqi të rregullit ku në shumë qytete të Turqisë, mbajtja e maskës në ambiente publike është e detyrueshme, kanë vërshuar gjobat.
Gjatë 48 orëve të fundit, të hënën dhe të martën, autoritetet kanë gjobitur 7.017 persona, për mos mbajtje të maskës.
Lajmi u bë me dije nga ministria e Brendshme në Ankara. Detyrimi për mbajtjen e maskave në vende publike, është në fuqi në 62 provinca, mes tyre Stambolli, pas shtimit të rasteve të infektimeve me koronavirus në ditët e fundit.
Ndërsa në zonat ku maskat nuk janë të detyrueshme, rregulli vlen për hapësirat publike të mbyllura.
Secili nga të gjobiturit duhet të paguajë 900 lira turke, ose rreth 115 euro.
Qysh nga nisja e pandemisë së Covid-19, Turqia numëron 190.165 të prekur dhe 5.001 viktima.
/a.r