Studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës i janë drejtuar sot me një peticion me 150 firma Rektoratit dhe FE për tërheqjen e diplomave.
Saktësisht bëhet pjesë për studentët e vitit 2017- 2019 ku 315 studentë nuk marrin ende diplomat. Kjo ndodh për shkak se Rektorati i ka kthyer mbrapsht ndërkohë FE në 2017 kur janë regjistruar studentët në fjalë nuk i ka përcjellë listat.
“Ne diskutuam me drejtorin e Kurrikulës, i paraqitëm problemin, kemi një kërkesë, brenda 10 ditësh, se ka kaluar më shumë se një vit pa u pajisur me diploma. Ai na shpjegoi korrespodencat, por nuk kemi pasur një zgjidhje. Ne kërkojmë të na vendosë në dispozicion dokumentacionin. Çështja çalon këtu, në 2017 kur studentët janë regjistruar, fakulteti nuk i ka përcjellë listën rektorit, por QSHA-së, kjo është në shkelje. Por QSHA ia ka vendosur në dispozicion listën e studentëve rektoratit, që e ka njohur këtë listë, diplomat janë dërguar paraprakisht, por dje janë kthyer pasi sipas rektoratit duhet ndjekur procedurë tjetër.
Pavarësisht konflikteve mes rektoratit dhe dekanatit, këta studentë kanë numrat e matrikullimi dhe kërkojnë që të pajisjen me diploma. Ne kemi bërë një kërkesë dhe përgjigja që presim përpara se ti drejtohemi gjykatës është të pajisemi me diploma. Sot nuk u zgjidh gjë, pasi dje rektorati ia ka çuar listat fakultetit të Ekonomisë. Pas 10 ditësh dokumentet do i çojmë në gjykatë. Procedura duhet të ishte ndjekur në 2017. Zgjidhja është që Ekonomiku të dërgojë diplomat te rektori, i cili duhet ti nënshkruajë” tha një përfaqësues i studentëve.
Nga ana tjetër Drejtori i kurrikulës në UT, Albano Zhapaj thotë se një shkresë i është dërguar edhe Ministrisë së Arsimit e cila sipas tij ka zgjidhjen në dorë, por një zgjidhje është edhe që sot dekani i FE, Dhori Kule t’i dërgojë listat e studentëve tek Rektorati sot.
“Çështja ka zgjidhje, nëse doni të dini se ku është shkelja unë ua them. Studentët janë në të drejtën e zotit dhe duhet të kenë dokumentin. Tani zgjidhja, unë po i dorëzoj avokatit të studentëve, një shkresë që i kemi dorëzuar ministres së Arsimit, e cila është hartuese e udhëzimit, ne duhet të dimë të gjithë se marrëdhëniet i rregullon udhëzimi.
Përgjegjësia është e QSHA dhe fakultetit Ekonomik që komunikojnë në mënyrë jo zyrtare. Ministrja e Arsimit e ka zgjidhjen në dorë. Nëse sot dekani dërgon sot listat, zgjidhja do të jetë e menjëhershme, listat duhen. Po ju nxjerr edhe një dokument, 11 kartonë nuk janë në listë, ky është faji i fakultetit, për këtë çështje po merret prokuroria. Nuk mund të lëshojmë diploma, që në regjistrat bazë nuk regjistrojë” tha ai.
/e.rr