Sulmuesi nigerian Efiong Ekemini Ejoh, i cili prej disa vitesh jeton në Shqipëri dhe aktualisht luan për Apoloninë e Fierit, thotë se në Shqipëri ka shumë racizëm, ndërsa flet në një intervistë për “Panorama Sport”.
Cila është familja e Ejoh? Nga sa pjesëtarë përbëhet ajo?
Kam lindur në Lagos të Nigerisë. Jemi një familje e përbërë prej 5 vetash: dy prindërit dhe 3 vëllezër, motra nuk kam. Unë jam fëmija i madh i familjes sime.
Cili është statusi i Ejoh? Beqar, i fejuar, i martuar?
Momentalisht jam beqar.
I dashuruar? Në një lidhje?
(Heziton paksa, qesh) Jo, jo, as diçka e tillë. Është ende herët, mendoj. Jam i fokusuar te futbolli për momentin.
Pro apo kundër një bashkëshorteje shqiptare?
Pyetje interesante… Nuk e kam menduar ndonjëherë. Nuk e di, kur ta mendoj, jua them. E përsëris që për momentin jam i përqendruar te karriera.
Si mbërritët në Shqipëri? Kur keni ardhur për herë të parë?
Për herë të parë kam ardhur më 24 gusht 2016. Ishin sugjerimet e disa miqve të mi dhe menaxherit tim për të luajtur me Dinamon. Aty kam pasur përvojën time të parë në futbollin shqiptar, për të vazhduar më tej me ekipe të tjera.
Ku keni luajtur përpara se të vinit në Shqipëri?
Jam aktivizuar vetëm në Nigeri, në Ligën e Dytë, por të mos harrojmë që kam qenë vetëm 19 vjeç atëherë.
Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në Shqipëri?
Më ka pëlqyer bregdeti juaj, plazhet. Shqipëria ka një natyrë të bukur bregdetare dhe plazhe mahnitëse. Janë vende ku mund të kalosh pushime relaksuese.
Çfarë nuk ju ka pëlqyer në Shqipëri?
Mentaliteti jo i shëndoshë te shumë njerëz. Është për të ardhur keq.
Cili është ushqimi juaj më i preferuar në Shqipëri?
Fasulet (qesh).
Cili qytet ju ka pëlqyer më shumë në Shqipëri?
Saranda, Vlora, Tirana dhe pa dyshim Fieri. Ka vende të bukura Shqipëria.
Dinamo, Laçi, Turbina, Besa, Shkumbini, Apolonia. Ku është ndier më mirë Ejoh?
Kudo kam kaluar shumë mirë dhe pa asnjë problem, me përjashtim të Turbinës. Në Cërrik kam jetuar duke ngrënë qofte e qepë dhe me lekë borxh. Nuk dua as ta kujtoj më atë kohë…
Ka pasur në Shqipëri shenja racizmi ndaj jush?
Po, shpesh madje. Edhe duke ecur në rrugë, ka njerëz që qeshin, përqeshin dhe tallen, por kam mbajtur distancë dhe nuk kam reaguar. Kjo gjë lidhet me mentalitetin jo të shëndoshë të disa njerëzve, që e thashë edhe më lart.
g.kosovari