Mëngjesin e sotëm është dhunuar për shkak të detyrës pranë zyrës së tij avokati Kujtim Cakrani. Ai tregon se 2 persona i kanë shkuar para zyrës së tij të avokatisë dhe e kanë sharë e qëlluar.
Cakrani tregon për FaxNews se ata i kanë i kërkuar të heqë dorë nga një çështje që ka të bëjë me rrëmbimin e një personi. Cakrani tregon se i njeh këta persona, dhe thotë se e kanë kërcënuar edhe herë të tjera. Pas ngjarjes ai ka shkuar menjëherë dhe ka denoncuar në polici.
“Unë sot në mëngjes kam ardhur në zyrë, dhe kam shkuar në një lokal përpara zyrës, dy persona me makinë të zezë, që i kam marrë dhe targën më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Më kanë kërkuar që të heq dorë nga një çështje që lidhet me rrëmbimin e një personi, dhe unë mbroj palën e familjes së viktimës.
Këta persona më kanë ardhur dhe në zyrë, i kam identifikuar personat, unë zyrën e kam survejuar me kamera dhe i kam të fotografuar të paktën njërin prej tyre që ka qenë më aktiv. Më kanë goditur në fytyrë, kam lajmëruar policinë, unë jam avokat dhe kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund. Jam kërcënuar dhe herë të tjera nga këta persona, jam i detyruar që të kërkoj mbrojtje nga policia e shtetit.
Jam në të drejtën time që të kryej detyrën dhe nuk intimidohem aspak nga këta persona. Në këtë vend është bërë vazhdë që të dhunohen avokatët dhe gjyqtarët, do ti shkoj deri në fund që këta persona të tërhiqen”, u shpreh Cakrani.
Mësohet çështja të cilës i referohet Cakrani, është ajo e zhdukjes së të riut Fatjon Myrtaj nga Kreshpani në Fier, ngjarje për të cilën implikohen dhe të afërm të tij.
g.kosovari