Futbollistët titullarë të Besës nuk kanë pranuar të udhëtojnë sot drejt Lushnjës për të luajtur ndeshjen e radhës në kampionat. Shkaku për këtë vendim të tyre lidhet me pagesat e pakryera nga drejtuesit e klubit kavajas, presidenti Nexhat Bizhdili dhe bashkia e qytetit.
Në fakt, kontrata e futbollistëve kanë përfunduar, ashtu si për shumicën e futbollistëve në vend. Në këtë rast, klubi dhe lojtarët duhet të bien dakord për të vazhduar të luajnë deri në fund të korrikut, kur mbyllet sezonit. Pra, duhet një kontratë shtesë dhe me sa duket, te kavajasit nuk ka ndodhur dhe të gjithë titullarët kanë zgjedhur rrugën e bojkotit. Besa do të paraqitet në Lushnjë me ekipin e të rinjve. Tani pritet reagimi i bashkisë dhe presidentit Bizhdili, të cilët gjenden për herë të dytë në këtë situatë gjatë këtij sezoni. Herën e parë e zbutën zemërimin e ekipit, kurse tani ata gjenden para një fakti të kryer.
Reagon Sindikata e Futbollistëve
Për çështjen në fjalë ka reaguar edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë, e kryesuar nga kavajasi Andi Lila. “Ekipi titullar i Besës, i cili javën e kaluar mundi kryesuesit e Grupit B, sot është i detyruar të mos paraqitet në ndeshjen e radhës kundër Lushnjës, për shkak të moskorrektesës financiare nga ana e klubit, mosdhënies së pagave prej disa muajsh. Sigurisht që ky është një veprim i detyruar nga moskorrektesa financiare e klubit dhe jo dëshirë apo tekë e futbollistëve titullarë të Besës.
Sindikata bën me dije se futbollistët e Besës prej disa kohësh kanë kërkuar nga drejtuesit e klubit plotësimin e detyrimit financiar që kanë ndaj tyre, por heshtja dhe gënjeshtra i detyruan në ndërmarrjen e këtij hapi. Futbollistët titullarë të ekipit u kërkojnë ndjesë në radhë të parë tifozëve të Besës dhe gjithë opinionit futbolldashës për këtë veprim, por gjithashtu kërkojnë edhe mirëkuptimin e tyre për shkaqet që i detyruan të ndërmarrin këtë veprim”, – shkruhet në njoftimin e Sindikatës së Futbollistëve në faqen zyrtare, ku publikohet edhe një faksimile e shkrese, me anë të së cilës kjo Sindikatë i drejtohet bashkisë dhe presidentit Bizhdili që të përmbushin detyrimet ndaj lojtarëve.