Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, thotë se jemi në një pikë kritike sa i përket Reformës në Drejtësi. Në një intervistë ekskluzive për A2, zonja Kim tha se reforma është diçka që e do populli shqiptar dhe është diçka në të cilën kanë investuar shumë Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga miqtë e tjerë të Shqipërisë.
“Reforma në drejtësi ka bërë përparim që mjafton për të trembur ata që nuk e duan atë por ende jo aq sa të kënaqë popullin shqiptar.
Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim reformën në drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet të shtyjmë përpara”.
Sipas Kim, mënyra për ta bërë këtë është që “populli shqiptar duhet të vazhdojë të ngrejë zërin për të shprehur pakënaqësinë, për të shprehur kërkesën e tyre për më shumë transparencë, më shumë sundim të ligjit.
Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, unë kam udhëzime të qarta nga Uashingtoni që kjo çështje mbetet prioritet dhe unë kam në plan t’i zbatoj ato”.
E pyetur lidhur me një postim të saj në Twitter, ku fliste për një kërcënim për ta vrarë reformën në drejtësi, ambasadorja u përgjigj:
“Mendoj se mund të ketë pasur njëfarë të vërtete tek ato thashetheme dhe, siç thashë në cicërimë, në fakt jam mjaft e drejtpërdrejtë, nuk jam diplomate shumë e mirë, them atë që synoj të them.
Shpresoj vërtet që nuk ka pasur të vërtetë në ato thashetheme dhe, pasi unë shpreha këtë pikëpamje, shumë aktorë të rëndësishëm dolën publikisht dhe afirmuan se nuk kishte të vërtetë në ato thashetheme. Ndaj jam shumë e lumtur të dëgjoj që është ashtu”. A2