” E di se çfarë po gatuhet, në çfarë kuzhine po gatuhet dhe çfarë gjelle do të hamë”, ishte mesazhi që ish presidenti Bamir Topi tha për marrëveshjen e arritur për reformën zgjedhore. Duke e cilësuar Kodin Zgjedhor si më të reformuarin në vend dhe më problematikun njëkohësisht, Topi tha se kjo marrëveshje është një sajesë politike që bëhet për të futur në lojë opozitë, e cila doli me vullnet të plotë jashtë kësaj loje politike. I ftuar në emisionin “Repolitix” në Report Tv, Topi tha për gazetarin Denis Minga se e gjithë kjo situatë është një anormalitet dhe se po harxhohet një kohë aq e madhe për të mos prodhuar asgjë.
“Marrëveshja e 5 qershorit është një pamje që përsëritet në mënyrë ciklike. Sa herë jemi në prag të një reformimi, pasi reformimi i kodit zgjedhor është bërë pafundësisht dhe vijon të mbetet ende më problematiku. Nuk e kam parë këtë situatë në qelizë pasi e di fare mirë se çfarë po gatuhet, në cilën kuzhinë po gatuar dhe çfarë gjelle do të hamë. Kjo i takon ekskluzivisht politikës shqiptare dhe çdo aktor ndërkombëtar futet për t’i vendosur ata në normalitet që gjithmonë është jashtë saj. Opozita e pa se duke mbetur jashtë, ky tjetri që ka përball nuk ‘të fal’ dhe shikojmë një pamje të çuditshme, një njeri që ka gjithçka dhe një opozitë të çoroditur dhe pa vizion dhe vendimmarrje emocionale të çastit. Marrëveshja është një sajesë e politikës shqiptare që bëjnë një strukturë të posaçme për të rifutur në lojë disa parti politike, jo pak të rëndësishme, që me vullnetin e tyre dolën nga loja. Kjo u bë për t’i futur ata në shina, por në shina politike, jo ato institucionale, pasi aty kemi një opozitë parlamentare. Politika shqiptare është në anormalitet, kjo nuk është një opozitë normal, por as ky pushtet nuk është normal, duke krijuar një situatë anormaliteti në Shqipëri“, tha Topi.
Pse opozita dhe mazhoranca refuzojnë listat e hapura, për ish presidentin Bamir Topi janë arsye të ndryshme, por që kanë të njëjtin qëllim që ‘listat të mos hapen dhe kryetari të ketë fuqinë absolute’.
“Opozita i trembet listave të hapura pasi në strategjinë e tyre kryetarët e partive aleate i fusin në listat për deputet dhe kjo do të ndodh pasi në të kundër do i mbeten aleatë rrugëve. Pra nuk ka interes. Te mazhoranca janë probleme të tjera, PS 8 vitesh fillon dhe bie autoriteti i kryetari, mbase nuk kanë kurajën sot të dalin kundër drejtpërdrejtë. Edhe pse arsyet janë të ndryshme ata janë të dyja në një pikë, kundër listave të hapura”, tha Topi.
g.kosovari