Debati për reformën zgjedhore ka qenë tema e ditës në seancën e sotme parlamentare. Qeveria insiston tek kalimi i marrëveshjes së arritur, por opozita parlamentare nuk lëshon votat pa listat e hapura. Ndërsa një temë tjetër që u hap ishte dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.
“KQZ nuk mund të jetë më një organ politik, i cili ruan privilegjin e partive të mëdha”. Kështu deklaroi sot në parlament Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke shtuar se, Europa është një qasje të cilën fatkeqësisht opozitarët tonë nuk e duan.
“Le të bëhet drejtësi pa dhe bota të përmbyset. I uroj shumë suksese Prokurorit të Përgjithshëm por edhe të gjitha institucioneve të tjera të drejtësisë për të kryer punën e tyre pavarësisht zhurmës dhe tronditjeve serioze që kanë shkaktuar në politikën shqiptare. Në rast se do i ktheheshim dhe diskutimeve të mëparshme për sa i përket integrimit dhe progresit që Shqipëria ka bërë, qoftë dhe reformës zgjedhore, të gjitha lidhen në këtë fije, pikërisht aty të bëhet drejtësi pa dhe bota të përmbyset. Në fakt opozitarët tanë që janë jashtë e kanë përmbysur këtë shprehje, për ta është ‘vetëm drejtësi të mos bëhet pa dhe bota të digjet’. Pikërisht në këtë ngërç të madh duhet ta shohim edhe problemin serioz që kemi ne me shqetësimet që i sjellim vetes sa i përket integrimit në BE. Evropa nuk është një proces abstrakt, nuk është as një proces demokratik apo burokratik. Evropa është një qasje të cilën fatkeqësisht opozitarët tanë nuk e duan për këtë arsye. E para dhe kryesorja drejtësia dhe frika serioze prej saj. E dyta, privilegjet. Po të shikoni të gjithë shqetësimet që kemi ne, për sa i përket reformës zgjedhore, me shkeljen absolute të marrëveshjes së 5 qershorit dhe nevojën për ta riparë atë dhe për ta politizuar KQZ-në dhe organet e tjera është kjo: Të ruajmë privilegjet jo të garantojmë zgjedhjet dhe privilegje vetëm për ne dhe jo për aktorët e tjerë politikë apo aktorët e rinj. E gjitha bëhet në këtë frymë për të ruajtur status quo-n ashtu siç është”, deklaroi Spiropali.
“Për çfarë kishim rënë dakord në atë marrëveshje që u firmos mes palëve. Pikërisht për të ndryshuar skemën e vjetër dhe bajate të përfaqësimit politik jo vetëm në KQZ, por në të gjithë administrimin zgjedhor. Dakord ramë pak a shumë, pa dëshirën tonë, dakord që administrimi zgjedhor në nivelet e tjera nuk mund të ndryshojë tani. Ama KQZ nuk mund të jetë më një organ politik, i cili ruan privilegjin e partive të mëdha, por nuk garanton liritë apo zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.
/e.rr