Virgjëria ishte tematika e episodit të ri të emisionit “Jeta pa filtër” në “News 24” me autore psikologen Ervisa Lula, ku është transmetuar rrëfimi i një vajze e cila e kishte humbur virgjërinë në adoleshencë dhe më pas i është nënshtruar procedurës së qepjes.
Dëshmia e asaj vajze anonime që ka bërë ndërhyrje për të rikthyer virgjërinë ka ngjallur reagime.
“Unë e kam humbur virgjërinë kur nuk e kuptoja as vet se cfarë ishte. Në atë kohë i dashuri im ishte 19 kurse unë 15 vjeç. Vinte në shtëpi kur prindërit e mi ishin në punë, ndërsa një ditë ai thjesht më tha që donte të më shihte të zhveshur. Gjithmonë më thoshte që ai donte që unë të isha e virgjër, tani e kujtoj, sa budallaqe që kam qenë.
Gjithsesi, vjet tezja u bë shkesë që unë të fejohesha, me nipin e burrit të saj, më mbushi mendjen të bëja procedurën e qepjes, ca presioni i familjes dhe moshës, isha e detyruar ti jepja drejtim punëve të mia e vendosa të shkoja te gjinekologia. Atje pashë edhe dy vajza të tjera që prisnin në radhë”, tha ajo.
Nërkohë mbi temën e virgjërisë e shpresën e rikthimit të saj përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, etnografja Afërdita Onuzi ka sjellë detaje nga vëzhgimet në terren të traditës e mentalitit shqiptar e më gjerë.
Çarçafët e bardhë pas natës së parë të martesës kanë shërbyer si certifikatë nderi. Ky ritual tha Onuzi ka vënë në peshore vlerat morale duke ndrydhur lirinë e femrës e duke i dhënë pushtet meshkujve.
Ajo sqaron qëndrimin e shoqërisë ndaj një femre e cila ka patur një akt seksual para se të martohej. Onuzi përmes fakteve të mbledhura thotë se virgjëria është parë si çështje pronësie dhe është kërkuar më tepër për të qenë “në rregull” me opinionin.
Etnografja kujton se si gratë i kanë treguar se si e maskonin mungesën e himenit me llogaritje të ditëve të menstruacioneve apo të tjera metodave. Kërkimet e saj dëshmojnë për një mentalitet që është tentuar gjithmonë të kapërcehet.
g.kosovari