Mbrëmjen e së enjtes një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën, ku mbeti i vdekur një 40-vjeçar. Pas një atentati mafioz te zona e Komunës së Parisit, humbi jetën shtetasi Hekuran Billa.
Thuhet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pasi në vitin 2006 ai ka vrarë shtetasin Prel Marku në Angli. Billa u shpall fajtor për vrasje në tentativë dhe vrasje të Markut dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Më pas Billa u ekstradua në Shqipëri, ku dhe vuajti dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Billa kishte rreth një vit që ishte liruar nga burgu dhe pas daljes, ai i ishte përkushtuar biznesit.
Por burime për “Gazeta Shqiptare” kanë bërë me dije se 40-vjeçari dhe reperi i njohur, Noizy, ishin miq të vjetër.
Njohja e tyre daton që në kohën që Noizy jetonte në Angli dhe nuk ishte i famshëm. Ashtu siç dihet, reperi shumë vite më parë ka jetuar në Angli. Ka qenë kjo, pika e takimit të dy djemve, që mesa duket kanë qenë miq të mirë.
Madje, burimet bëjnë me dije se shpesh djemtë edhe kanë ushtruar së bashku sportin e boksit. Vetë Noizy ka folur për atë periudhë të jetës së tij, madje ka publikuar edhe video e foto, ku shfaqej duke bërë boks në ambiente të jashtme.
Duket se në atë kohë dy shqiptarët janë afruar shumë si dy emigrantë që përpiqen të mbijetojnë në një shtet të huaj. Rrugët e dy djemve u ndanë kur reperi u rikthye në Shqipëri dhe nisi karrierën në muzikë, ndërkaq Billa kishte hesape me drejtësinë për të larë. Teksa fama dhe karriera e Noizyt rritej.
Hekuran Billa vijonte dënimin për vrasjen e kryer në të shkuarën. Megjithatë, miqësia mes të dyve vijoi gjatë. Bëhet me dije se këngëtari e vizitonte shumë shpesh edhe kur ai vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Për të gjithë të dënuarit dhe gardianët binte në sy prania e një të famshmit si Noizy teksa vizitonte qelitë e burgut famëkeq.
Duket se ai shumë shpesh shkonte te miku i tij, që pas disa betejave gjyqësore, ia doli që të linte qelinë. Nuk kemi detaje të tjera sesi ka vijuar kjo miqësi pas daljes nga burgu rreth një vit më parë. Në rrjetet sociale apo në ato pak dalje, këngëtari kurrë nuk e ka përmendur, ndoshta edhe për shkak të së shkuarës së tij. /GSH/
g.kosovari