Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot (12 qershor) një tubim për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e themelimit të kësaj force politike.
Në fjalën e tij, lideri i VV-së dhe ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e re është qeveri koti e cila do bëjë më shumë dëme se punë. Sipas tij, dëmi i parë u bë me heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Albin Kurti: ‘‘E kujt është kjo qeveri koti? Kë e përfaqëson kjo qeveri koti? Kjo qeveri me vendimin e kontrabanduar të gjykatës dhe me votën e kontrabanduar të presidentit, është qeveri e turpit e cila është zgjedhur për të bërë dëme dhe jo për të bërë punë. Dëmet kjo qeveri i ka filluar. Në ditën e dytë të punës së saj, hoqi reciprocitetin me Serbinë. Heqja e reciprocitetit është nënshtrim ndaj Serbisë. Këta duan të shkojnë në dialog të nënshtruar.”
Kurti deklaroi se nuk do e pranojë nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë, dhe se dialogu nuk mund të zhvillohet nga qeveria e pakicës.
Albin Kurti: ”Nuk e pranojmë heqjen e reciprocitetit sepse nuk e pranojmë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk e pranojmë nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë. Nuk e pranojmë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk mund të dialogohet nga një qeveri e pakicës shqiptare. Kjo qeveri ka 40 deputetë nga 100 deputetë shqiptarë, ndaj dhe nuk ka as legjitimitetin dhe as kredibilitetin që të dialogojë në emër të republikës.”
/e.rr