Vaksina kundër COVID-19 nga instituti bioteknik amerikan ”Moderna”, bashkëfinancuar nga qeveria amerikane, ka hyrë në fazën e tretë dhe të fundit të provave klinike që do të kryhen në muajin korrik tek 30 000 vullnetarë në SHBA dhe Brazil.
Kjo është faza vendimtare e provave, e cila do të mundësojë të shihet, në një shkallë të gjerë të personave të shërndetshëm, nëse vaksina është më efektive se një medikament për të penguar kontaminimin nga koronavirusi.
Protokolli është përfunduar me Agjencinë amerikane të Medikamenteve (FDA) dhe testimet do të bëhen në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetit.
Renditur mes të parëve në garën botërore kundër koronavirusit të ri, kompania bioteknike amerikane, ”Moderna”, financuar deri tani me 483 milionë dollar nga Uashingtoni njoftoi para pak ditësh rezultatet paraprake por shumë inkurajuese për vaksinën e saj eksperimentale tek tetë vullnetarë, para provës në shkallë të gjerë që është parashikuar në korrik.
Në tetë persona, vaksina eksperimentale e quajtur mRNA-1273 ka dhënë përgjigje imunitare të ngjashme me atë që shihet tek njerëzit që janë infektuar natyrshëm nga virusi që shkakton COVID-19.
Faza e dytë, që përfshiu 600 vullnetarë, filloj në muajin maj. Vaksinimi bëhet në dy doza të ndara prej 28 ditësh.
Nëse doza e zgjedhur për testet (100 mikrogramë) rezulton e efektshme, ”Moderna” ka planifikuar të jetë në gjendje të prodhojë 500 milionë doza në vit dhe ndoshta deri në një miliardë.
Duke dashur të jetë në përparësi, SHBA-ja ka investuar më herët në projektin e ”Moderna”-s, si dhe në ato, më pak të avancuara, të grupit amerikan “Johnson & Johnson” dhe laboratorit francez “Sanofi”, i cili ka vende prodhimi në SHBA.
Ndërkohë një duzinë vaksinash po testohen në të gjithë botën dhe studimet më të avancuara do të përshpejtohen gjatë verës. Mes kompanive bioteknike është edhe ajo nga Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me qendrën kërkimore italiane Pomezia në Romë.
g.kosovari