Përplasja mes FNSH dhe pronarëve të disa objekteve pa leje në plazhin e Velipojës që nuk lejonin prishjen e bizneseve të tyre solli dhe reagimin e kreut të PD, Lulzim Basha.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, kryedemokratike akuzoi kryeministrin Rama se po përdor dhunën për të grabitur pronat në bregdet në favor të oligarkëve.
“Në ditët më të vështira për shqiptarët, kur xhepat janë të zbrazur dhe varfëria po rritet çdo ditë, Edi Rama përdor dhunën dhe gazin lotsjellës për të grabitur tokat në Velipojë.
Në orën që kërcënon qytetarët se do ti rimbyllë në karantinë RAMAVIRUSI dhe banditët e tij prishin pa ligj vetëm për të grabitur pronat në bregdet për oligarkët dhe krimin.
Me RAMAVIRUSIN shqiptarët varfërohen e oligarkët pasurohen. I rrënuar dhe i tmerruar nga revolta e qytetarëve, këto akte barbare janë grahmat e fundit të një kufome politike që po qelb Shqipërinë”, shkruan Basha.
Kujtojmë se pak ditë më parë Basha takoi ish-pronarët duke u premtuar zgjidhjen e problemit të zaptimit të tokave.
/a.r