Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje opozitës parlamentare që të votojë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
I ftuar në një studio televizive, Balla tha se “PD dhe LSI kanë njohur deputetët e tyre, një pjesë të deputetëve të tyre”.
“Dikur thanë që do t’i çregjistronin, tani kanë filluar dhe janë afruar me deputetët e tyre dhe kjo është diçka e mirë, sepse PD dhe LSI kanë bërë një rikthim në arsyetimin e domosdoshëm dhe logjik që deputetët e opozitës në parlament janë deputetë të zgjedhur nga lista e tyre dhe të propozuar prej tyre”, tha Balla.
Ai tha se “Murrizi është zgjedhur me firmën e Bashës dhe Basha e ka të domosdoshme të ketë kontakte”. “Në fund të fundit Basha dhe Kryemadhi votat e deputetëve të tyre nuk duhet të mi kërkojnë mua, por atyre”, tha Balla.
Lidhur me marrëveshjen e arritur, ai theksoi se insistimi i PD-së për të mos ruajtur sistemin aktual të administrimit të zgjedhjeve, ku ende partitë politike do kenë përgjegjësinë për administrimin e zgjedhjeve, në nivelin e parë dhe të dytë, në nivelin e KQV-ve dhe KZAZ-ve, është një prej sëmundjeve më të vjetra në Shqipëri.
“Nëse do pyeteshim se kush ka qenë arsyeja pse zgjedhjet në Shqipëri deri diku kanë pasur problematika, lidhet me pjesën e administrimit dhe me një qasje që unë nuk hezitoj asnjëherë ta them, staliniste, ku partitë votohen dhe partitë numërojnë apo administrojnë procesin”, tha ai.
Balla tha se “më vjen mirë që PD njohu zgjedhjet e 2017, sepse zgjedhjet e 2017 janë administruar me këtë lloj administrimi politik”.
/a.r