Deputeti Nimet Musai ka deklaruar në studion e lajmeve të Fax News, se pas takimit me Gramoz Ruçin ditën e sotme, në mbrëmje ai bashkë me deputetët Edmond Stojkun dhe Myslim Murrizin do të takojnë kryeministrin Edi Rama.
Musai tha se në takimin e orës 19:00 me Ramën do të kërkohet dakodësi për listat e hapura, ndërsa shtoi se opozita parlamentare ka qenë dakord të votojë çdo rekomandim të OSBE-OSHIR, por që në Këshillin Politik nuk u morën parasysh.
‘Rekomandimet e ODHIR ne kemi thënë se do t’i votojmë, këto rekomandime nuk janë marrë parasysh nga Këshilli Politik, që është depolitizimi i komisionerëve, vota e emigrantëve, dhe hyrja në zgjedhje me koalicione të ndara që secila forcë politike të marrë peshën e saj që ia japin qytetarët. Ne kemi edhe Bundestaguun që thotë, rekomandimet duhen marrë në konsideratë dhe janë një nga kushtet për integrimin.
Është pika shtesë që ne kemi kërkuar, ndryshimi i strukturës në reformën zgjedhore ku kërkojmë listat e hapura, që shqiptarët të zgjedhin deputetin që duan. Që prej 2008 ku partitë politike brenda një natë nxorën këtë draft që e kemi sot në tavolinë. Edhe në takimet e sotme, me Ruçin paradite dhe me Ramën në darkë, kërkesa e vetme e opozitës parlamentare janë listat e hapura. Ambasadorja Kim na vuri në dispozicion një draft që është i shtetit të Danimarkës, dhe ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që ta përshtasim.
Këshilli Politik i vendosur në ato kushte siç ishte për të arritur këtë dakordësi, Hajdari ka thënë dhe kërkuar në prezencë të ndërkombëtarëve lista të hapura, nuk u dakordësua nga palët por do të vijë në parlament. Javën e ardhshme do të diskutojmë jo vetëm këtë draft, por edhe propozimet konkrtete të deputetëve apo peticionit të shoqërisë civile. Ne jemi legjitim, është parlamenti që sot do të votojë gjithë këto reforma për integrimin europian.Asnjëherë Kodi Zgjedhor nuk është bërë për shqiptarët. Ruçi si kryetar i parlamentit, ka mbajtur qëndrim korrekt një vit e gjysëm, ai pranoi një draft, të dalë edhe nga komisioni parlamentar. Problemi është sistemi zgjedhor për lista të hapura, ne kemi deklaruar se do të votojmë çdo rekomandim të ODHIR. Kemi kohë deri në korrik këtë draft, mbetem besimplotë që ndërkombëtarët, kryetari i Kuvendit, Kryeministri do reflektojnë dhe pranojnë, këtë do t’ia kërkojmë edhe kryeministrit ditën e sotme.”-tha deputeti.
/a.r