Rritja e numrit të rasteve positive me koronavirus është brenda pritshmërive, deklaron ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu por apelon për të mos ulur vigjilencën.
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Ministrja Manastirliu tha se sistemi shëndetësor është vendosur në gatishmëri të përforcuar dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për zbatimin e rregullave
“Shtete shumë më të zhvilluara se Shqipëria po vazhdojnë të përballen me këtë infeksion. Disa pa e ndërprerë asnjëherë luftën, të tjerë duke luftuar me rikthimin e tij.
Pas hapjes fillimisht graduale, dhe më pas tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka ende transmetime komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në Spitalin Infektiv.
Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve. Normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën.
Për këtë arsye, asnjëri nga ne nuk mund t’i lejojë vetes që, pas rihapjes, të relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjenës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve. Sepse kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit.
Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithësecili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëlim që të ruajë veten dhe të tjerët.
Sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit.”
Ministrja përsëriti edhe një herë bashkëpunimin për të mos e çuar dëm sakrificën e këtyre muajve, kur të gjithë bashkë, qeveri dhe shoqëri dhamë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në mbrojtje të shëndetit, nëpërmjet zbatimit të rregullave të higjenës dhe distancimit fizik, si dhe protokolleve të nxjerra nga institucionet shëndetësore.
g.kosovari