Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është përgjigjur presidentit Hashim Thaçi pas sulmeve që ky i fundit i ka bërë familjes së saj. Në një postim në Facebook, Vjosa Osmani e quan Thaçin “gjarpër” që kërkon “të kafshojë” nderin e familjes së saj. Ajo shprehet se familja e saj e ka njohur Rugovën si prijës, ndërsa Thaçi e ka sulmuar edhe këtë të fundit.
Reagimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura.
Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e çon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë.
Ky reagim i Vjosa Osmanit vjen pasi kreu i Shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi tha se dikush nga familja e saj, i ka shërbyer Serbisë. Ai shtoi më tej se projektet e tij kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kanë fituar edhe pavarësinë e vendit.
g.kosovari