Prej katër ditësh ndodhej në spital për shkak të problemeve shëndetësore, por një nga të dyshuarit për grabitjen e bujshme në aeroportin e Rinasit ka gjetur vdekjen.
Ragip Hajdini i njohur ndryshe si “Daja”, ka gjetur vdekjen si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Hajdini, njihet si “Daja” nga Kosova, dhe dyshohet se është personi që ka siguruar furgonin e modifikuar të përdorur për grabitje, me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që u dha alarmi për grabitjen, ata hasën në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me të cilët patën dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. Deri tani arrestuar për grabitjen gjashtë persona të dyshuar, Ragip Hajdini, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela dhe Elton Pikli.
g.kosovari