Marrëveshja e arritur mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore, reforma në drejtësi, marrëdhëniet Rama-Meta, raportet mes PD dhe LSI, kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT” u shpreh se pakti i 5 qershorit për reformën zgjedhore më shumë se sa bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës ishte një shuplakë për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke qenë se ky i fundit shprehu rezerva pas miratimit të tij. Duke u ndalur tek ecuria e reformës në drejtësi, zoti Klosi theksoi se ajo do të shihet dhe do të tregojë që ia vlen nëse çon deri në fund premtimin e saj që është lufta me zero tolerancë ndaj pushtetarëve të korruptuar. I pyetur se a ka politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë që kanë nxjerrë para jashtë vendit, ish-kreu i SHISH u shpreh sa ka të tillë, ndërsa theksoi se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ato pasuri mund të gjurmohen dhe sekuestrohen.
-Zoti Klosi, si e shihni marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës për reformën për zgjedhoren?
Marrëveshja e arritur mbrëmjen e së premtes mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore është një marrëveshje që duhej bërë sipas të gjitha gjasave që lidhej më shumë me situatën për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian, se sa për situatën e brendshme politike në vend. Kjo pasi me thënë të drejtën populli shqiptar priste më shumë që të arrihej për reformën zgjedhore, ku reforma duhej tepër e thellë dhe jo kaq sipërfaqësore sa u bë dhe u arrit.
-Si e shihni rolin e ambasadores Kim?
Absolutisht po! Dukej qartë që ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka meritën dhe rolin kryesor në arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore, pasi ishte ajo që uli palët, madje i mori në ambasadë për të negociuar me ta. Pra, që të hyj në brendi të pyetjes suaj, marrëveshja për reformën zgjedhore u arrit falë presionit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët duan që të kishte një pakt. Kjo marrëveshje nuk është negative, por u bënë ca ndryshime sa i takon drejtësisë së votës, por nuk u bënë ndryshime rrënjësore siç prisnin qytetarët. Këto ndryshime janë ato që i kërkoi opozita që gjoja për të siguruar që votat të mos blihet e vidhet. Pra janë reflektuar në marrëveshje ankesat e një opozite që i artikulon kur humb. Thënë ndryshe janë bërë ca korrigjime me shpresën që zgjedhjet të jenë më të drejta. Por problemi i madh i përfaqësimit nuk u prek fare.
-A besoni se opozita nuk do të ngrejë më pretendime si psh: u vodh vota dhe u grabitën zgjedhjet?
Jo, jo absolutisht nuk besoj. Opozita joparlamnetare e drejtuar nga Partia Demokratike sërish do të ngrejë pretendime dhe akuza. Kjo marrëveshje ishte për të kaluar radhën. Çdo parti në Shqipëri, pasi kjo është bërë traditë prej 30 vitesh, ankohet kur humb zgjedhjet në Shqipëri. PD-ja do të justifikohet përpara të vetëve, pasi ka detyrime ndaj saj sepse ngriti një popull të tërë nëpër demonstrata, jemi shumicë, etj. Por unë jam i bindur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të bëhen vitin që vjen, Partia Demokratike do t’i humbë sërish zgjedhjet dhe do të nisë sërish me ankesa, për t’u justifikuar që Partia Socialiste ua vodhi votat dhe zgjedhjet, edhe pse dhanë garanci që përmes arritjes së marrëveshjes zgjedhore të së premtes, fituan ata. Kjo është politika në Shqipëri.
-A kanë pasur rol Meta e Berisha në vonesën e paktit, pasi PD dhe LSI e braktisën takimin të mërkurën?
Shiko! Vonesat ishin për t’u justifikuar që ne i bëmë të gjitha përpjekjet dhe më në fund ranë dakord se nuk kishin çfarë bënim më shumë. Jo, besoj se Berisha dhe Meta u mbajtën larg, pasi kjo marrëveshje u arrit falë presionit të ndërkombëtarëve. Nuk pati ndryshime të mëdha sikundër kërkonte Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kështu që këta të dy u mbajtën larg, pasi në këto raste dhe me këto ndryshime kaq sipërfaqësore që u reflektuan në marrëveshjen e reformës zgjedhore, mund të bëheshin brenda natës. Pra, identifikimi biometrik është tepër i kollajshëm. Me pak fjalë mirë bënë që u bënë këto ndryshime kaq të vogla, sa edhe Edi i tha me ironi që shkruam ato që ishin shkruar.
-A mendoni se PD dhe LSI do të jenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme?
Jo! PD dhe LSI nuk kanë asgjë të përbashkët dhe kishin disa interesa që me sa duket nuk justifikohen më.
-A mund të kemi bashkëqeverisje PD dhe PS?
Jo, këto janë llafe pazari. Kështu që, nuk e besoj se mund të ketë një bashkëqeverisje mes PD dhe PS, madje nuk do të më pëlqente.
-Nëqoftëse Partia Demokratike humbet zgjedhjet e ardhshme, a rrezikohet largimi i kryedemokratit Lulzim Bashës?
Këto janë probleme të brendshme të Partisë Demokratike. Sa demokraci ka kjo parti, si i kanë rregullat, çfarë kanë shkruar në statut. Kështu që, nuk mund të jap mend çfarë do të bëjë PD, por si çdo parti tjetër, besoj se duhet respektuar statuti.
– A ka ardhur koha që kryedemokrati Lulzim Basha t’i tregojë vendin ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi të gjithë e dimë që ai vijon të këtë rol të rëndësishëm në Partinë Demokratike?
Me thënë të drejtën gjërat e brendshme në Partinë Demokratike as nuk i kam ditur dhe as i di, pasi jam shumë larg asaj partie. Por di të them që Saliu ka influencë mbi Bashën.
-Flitet se presidenti Ilir Meta mund të krijojë një parti të re politike. Sa gjasa ka të ndodhë kjo apo janë thjesht shashka të kryeministrit Edi Rama?
Po e ka partinë presidenti Ilir Meta. Ky i fundit ka Lëvizjen Socialiste për Integrim s’ka pse krijon parti dhe nuk ka çfarë partie të krijojë! LSI e ka krijuar Ilir Meta. Megjithatë, nuk di të them më shumë, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që ka krijuar Meta dhe e ka ai.
-Gjatë kohës së pandemisë së Covid-19 kemi parë një qetësi sa i takon raporteve mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, madje të dy këta kanë qenë edhe bashkëpunues. Por ditët e fundit palët u janë rikthyer akuzave dhe sulmeve. Në gjykimin tuaj si i shihni marrëdhëniet Rama-Meta?
Shiko, sa i takon marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta dy gjëra janë të rëndësishme dhe që duhen vënë në dukje. E para ka të bëjë me interesat, problemet e interesave dhe pozicioni i presidentit. Pra, duket qartë që kemi të bëjmë me dy parti kundërshtare me interesa të kundërta, kështu që edhe raportet mes Edit dhe Ilirit kanë ulje dhe ngritje. Dhe për sa kohë që Partia Socialiste ka kërkuar largimin e kreut të shtetit, shoh që nuk bien dakord dhe se këto janë ngjarje të momentit, që natyrisht që nuk i biet murit me kokë. Pastaj kur del një gjë tjetër, sigurisht që palët mbajnë qëndrim tjetër.
-A mendoni se mazhoranca socialiste do ta shkarkojë apo jo presidentin Ilir Meta?
Se di, por varet çfarë do të ofrojë e ardhmja e afërt. Megjithatë, mazhoranca socialiste i ka numrat, mundësitë dhe votat në Parlament për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Mirëpo, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
-Më 5 qershor mazhoranca dhe opozita joparlamnetare arritën një marrëveshje sa i takon reformës zgjedhore. Por megjithatë ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një reagimi që bëri për këtë çështje, u duk i pakënaqur me këtë marrëveshje. Si duhet lexuar ky qëndrim i Berishës?
Sigurisht që, ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë gjithmonë për luftë dhe kaos. Nuk mund të shikohet me habi ky qëndrim i mbajtur nga Saliu, për aq kohë që i madh dhe i vogël është në dijeni që Berisha do vetëm kaos dhe dhunë. Kjo është strategjia e Berishës, që çdo fitore merret me luftë. Ndërkohë që me paktin e 5 qershorit ishte një bashkëpunim që u nënshkrua, duke bërë që Berisha të shfaqë hapur rezervat e tij. Partia Demokratike tregoi që me këtë bashkëpunim u tërhoq, duke bërë që Berisha të mos e pranojë. Pra, duke qenë se marrëveshja e së premtes ishte bashkëpunim dhe jo luftë sikundër priste Berisha, ky i fundit nuk e ka kapërdirë dot këtë gjë.
-Sot Bashkimi Europian do të vendosë për negociatat me Shqipërinë, ku një ndër kushtet bazë është hetim i korrupsionit në nivel politik. Mendoni se autoritet shqiptare do t’i përgjigjen pozitivisht këtij kushti?
Prandaj është bërë gjithë ajo reformë në drejtësi që të ndjekë dhe të çojë para drejtësisë pushtetarët e korruptuar. Kjo nuk është punë autoritetesh, por vizioni. Kjo që thoni ju lufta kundër korrupsionit është detyrë e drejtësisë së re. Korrupsionin nuk e luftojnë të korruptuarit, por drejtësia e re, organet e reja të drejtësisë të dala nga reforma në drejtësi. Kjo e fundit kryefjalë dhe qëllimet e saj ka luftën pa kompromis nda korrupsionit në nivel të lartë pushtetarësh. Kështu që, sistemi i ri ka për detyrë të luftojë korrupsionin.
-Ka zëra se shumë politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë kanë nxjerrë shumë para jashtë vendit. Si ish-drejtues i Shërbimit Informativ Shtetëror a besoni se të korruptuarit kanë nxjerrë para jashtë Shqipërisë?
Mendoj dhe besoj se po! Ka politikanë, gjyqtarë dhe prokurorë që kanë nxjerrë shumë para jashtë vendit.
-Sa i lehtë do të jetë zbulimi i parave të pushtetarëve të korruptuar jashtë vendit?
Sigurisht që është punë e vështirë, por jo e pamundur. Me thënë të drejtën është pak punë e vështirë, por nëqoftëse aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duan që ta çojnë deri në fund reformën në drejtësi, në mënyrë që kjo reformë të japë rezultat e saj, një nga pikat që duhet të jetë kryefjalë është gjurmimi i parave jashtë vendit. Partnerët ndërkombëtarë kanë mundësi ta ndihmojnë Shqipërinë në këtë çështje dhe zbulimin e të gjitha pasurive dhe parave të pista që kanë dalë jashtë Shqipërisë. Pra, absolutisht që nuk është e pamundur që të zbulosh këto para, pasi po e morën përsipër vende të fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe është shumë e kollajshme për të zbuluar paratë e pushtetarëve të korruptuar.
g.kosovari