Nga Spartak Ngjela
Çfarë po ndodh në Kosovë?
Politika amerikane, është në skemë kundër Kosovës, apo është me dhe për Kosovën?
l.
Pyetja negative këtu është kjo?
Politika amerikane, pse e ka përkrahur korrupsionin shqiptar në Kosovë; nuk e di ajo që korrupsioni Thaçi e co. është me Beogradin?
Nuk e di politika amerikane që shumicën parlamentare tani në Kosovë e ka në dorë pakica serbe, domethënë Beogradi?
Sigurisht që të gjitha këto politika amerikane i di. Atëherë, çfarë bisedimesh do të bëjnë palët në këtë rasë: Beogradi me Beogradin?
Po të jetë kështu, sipas këtij vijimi politik, opinioni publik shqiptar në Kosovë e kudo, duhet të presë ardhjen si president në USA të Xho Bajdenit.
Por, ka edhe një pyetje që na del në sensin pozitiv: a mos jemi në skemën e njohur të politikës amerikane?
Po të jemi në skemën klasike që ka përdorur rëndom politika amerikane, atëherë mund të jemi në këtë vijë politike; sipas arsyetimit të më poshtëm.
ll.
Politika amerikane e lejoi Albin Kurtin të qeveriste në Kosovë, por, ama, me titistin Mustafa. Kurse, Kurti doli në ekstrem ndaj Beogradit. Veçse nuk duhet të gabohemi: ekstremi politik i Kurtit nuk ishte reciprociteti, por tendenca e shqiptarizmit historik të Kurtit drejt Nishit.
Prandaj na duhet ta theksojmë: jo reciprociteti por tendenca e shqiptarizmit historik drejt Nishit, ishte shqetësimi ekstrem i presidentit serb Vuçiç.
Kurse, dihet tani se, edhe politika amerikane e ka pasur në skemën e saj Nishin, dhe prandaj, pikërisht kjo ishte frika e Beogradit.
Por, a mos fillon mu këtu edhe politika e re amerikane për njohjen e Kosovës nga Serbia.
Si?
lll.
Sipas precedentit të politikës amerikane të kërcënimit politik, mendoj se duhet të jemi në pozicionin politik të marrjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia me politikën pragmatike amerikane, sipas së cilës: midis dy të këqijave, zgjidh të keqen më të vogël.
Domethënë, midis Nishit dhe kufirit aktual të pacenuar të Kosovës, e keqja më e vogël për Serbinë, sigurisht që do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës me kufirin e pacenuar aktual.
Domethënë, më saktë është kjo: politikë e lartë e Uashingtonit me kërcënim, dhe ndihmë në një njësi, sipas pyetjes ndaj Beogradit: doni Kurtin me politikën Klinton – Bush që Kosova të shkojë deri në Nish, apo doni të vendosen një herë e mirë kufinjtë kështu siç janë?
Kjo duket se është politika amerikanë e momentit. Domethënë, më saktë: ti Serbi, kërkon të jesh nën kërcënimin dhe rrezikun e politikës Klinton dhe Bush, drejt Nishit, apo të njohësh pavarësinë e Kosovës më kufinjtë aktualë, dhe aq?
Prandaj, duhet të shohim se si do të precipitojnë ngjarjet pas fillimit të bisedimeve Kosovë-Serbi.