Paketa turistike që kombinojnë turet në natyrë me vizitat kulturore, është oferta e operatorëve turistikë për zhvillimin e turizmit lokal dhe rajonal në periudhën post-pandemike. Nga Parku Arkeologjik i Apolonisë, ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe ajo e kulturës Elva Margariti, njoftuan se kostoja për këto ture do të jetë simbolike.
“Kemi ardhur me çmime simbolike për muzetë dhe parqet arkeologjike. Me këtë politikë të re edhe ato site më pak të vizituara do të jenë pjesë e paketave. Do të vazhdojmë të provojmë çmimet biletat online, atje do të jetë aksesi më i madh i biletave të ulëta. Ndryshe do të jetë çmimi online, ndryshe në sportele”.
Sektori i turizmit u godit më së shumti nga pandemia e Covid–19, ndaj kjo strategji synon të tërheqë edhe turistë nga rajoni.
“Shqipëria i hapi e para kufijtë në rajon për turizëm. Në fillim të javës tjetër do të fillojnë edhe charterat e parë që janë të dedikuara për turizëm”.
Normaliteti i ri që imponon prania e virusit do të kërkojë më tepër vëmendje për higjienizimin dhe zbatimin e rregullave.
/a.r