Nga Andrea Danglli
Do tregohesha krejt hipokrit nëse do të pretendoja se nuk fshihet një monstër nën lëkurën time! Pavarësisht se pësova një tronditje të thellë kur e mësova këtë gjë, tashmë jam i vetëdijshëm që të gjithë e kemi nga një monstër të strukur në vetvete, duam apo s’duam, e dimë apo s’e dimë.
Edhe ti që po më lexon dëshpërimisht e ke një të tillë në brendi, pavarësisht se nuk do që ta pranosh. Ndryshimi nga njëri individ te tjetri qëndron te përmasat e monstrës pasi që të rritet, ajo ka nevojë për klimë dhe ushqim të përshtatshëm, elemente të cilat në këtë vend janë ofruar me bollëk për plot 30 vite kur vjen puna për kultivimin e së keqes. Dhe këtu nuk është fjala për ndonjëfarë ushqimi biologjik, por për një ideologji të papërgjegjshme kriminale të cilën e kemi servirur djallëzisht e masivisht pa ditur se për kë.
Ashtu pa e kuptuar kemi rritur dita-ditës monstrën brenda shumëkujt tjetër duke e bërë të pakontrollueshëm, të vështirë korrigjueshëm dhe të tillë që mund të dalë lehtësisht jashtë lëkurës njerëzore për të shënuar goditjen e radhës.
Gjithë këto ditë e kam pyetur veten shpesh se cili është fajtori i vërtetë për ngjarjen e tmerrshme të Babrrusë, ku një e mitur u përdhuna barbarisht nga roja i shkollës së saj. Dhe vetja më është përgjigjur shkurt e me bindje: “Ti e ke fajin!”.
Në fillim u ndjeva keq pasi është më e thjeshtë të moralizosh të tjerët sesa vetveten, por teksa e gjykoj gjithnjë e më ftohtë, kuptoj se nuk më ka gënjyer aspak.
Gjendemi në një moment ku nëse diagnostikimi i përgjegjësisë nuk nis së pari nga vetvetja, atëherë i tërë procesi s’ka asnjë vlerë kurative për monstrat që janë rritur apo që po rriten poshtë lëkurës njerëzore. Thjesht do të shfryjmë mllefin e akumuluar, do të prodhojmë vëmendje dhe përsëri do të rrotullohemi për t’u rikthyer në zanafillën e problemit, pa e shëruar këtë plagë shoqërore.
Besoj se edhe unë padashur kam përgatitur ushqim për monstrat e fshehura. Nuk e di me saktësi se sa, por ama e ndjej se fatkeqësisht kam kontribuuar në jetëzimin e tyre. Edhe ti, edhe të gjithë ne i kemi rritur e mbarsur duke u siguruar një habitat të frytshëm ku mund të hedhin shtat për të dalë mbi lëkurë.
Po ashtu, këtë kohë kam kuptuar se cili është ushqimi i preferuar i monstrave pavarësisht se kjo ka nevojë për t’u studiuar sociologët, psikologët, psikoterapeutët apo shkencëtarët, ashtu si në çdo vend serioz të botës.
E kam parë këtë ushqim të ofrohet fillimisht me bollëk në familjet ku mungon komunikimi i shëndetshëm për një sërë temash delikate. Edhe pse ruajtja e fëmijëve është e vetmja shpresë për ndryshimin e së nesërmes, mirëedukimi i tyre sot konsiderohet ende për shumëkënd si shqetësimi i fundit.
Paskëtaj, e kam hasur në institucione arsimore ku një dreq e merr vesh se përse mësuesit skuqen më shumë se nxënësit kur vjen puna për të folur mbi edukimin seksual. Janë veçse kurrikula që duhen trajtuar bashkërisht dhe jo fermanë ekzekutimesh që të kapërcehen shpejt e shpejt për te tema e radhës siç ndodh rëndom. Është dituria parzmorja e parë që duhet të hasë një monstër kur tenton të sulmojë, pasi ai është mësuar të lëvrijë kryesisht nëpër mendje të pandriçuara, të ndrojtura dhe të frikësuara prej çlirimit që jep dija.
E kam parë në shoqërinë e çdo dite, ku më shumë flasim për seksin si një proces që të kënaq organet gjenitale se sa për marrëdhënien intime si një ndjenjë njerëzore që të drithëron kraharorin. Dhe kjo jo pak herë bën që një monstër të vendosë syzet e perversitetit për ta parë gruan thjesht si një objekt seksual e asgjë më shumë. Në rastin më të keq, kategoria e pështirë pasurohet çmendurisht edhe me të miturit.
Ushqimi i kafshës sonë të brendshme vjen shpesh here edhe nga gjuha e helmatisur e politikës, e cila ka krijuar prej dekadash një klimë të pështirë konfliktuale dhe shpeshherë seksiste. Me dashja apo pa dashje, ajo u ka siguruar bashkëjetuesve tanë kafshërorë mirëqenie dhe mburojë në rast të konfliktit me ligjin. Kur qëndrimin e parë në vijën e frontit nuk e mban politikbërja, atëherë aktiviteti i tyre çnjerëzor jo vetëm që nuk do të ndalohet, por do të shumëfishohet më tej.
E kam parë monstrën të ushqehet edhe falë shumë programesh televizive. Shpesh here në kuzhinat e tyre ato gatuajnë prodhimet ideale për t’i hedhur në sheshin e monstrave ku të gjithë vërsulen si tufë kërmash duke i shqyer sa më shpejt. Më rikthehet indinjata për këtë fenomen po aq e madhe sa para disa vitesh, kur pata shkruar disa radhë për një emision i cili mësonte disa fëmijë t’u adresonin pyetje erotike të rriturve. Ndërkohë moderatorja apo të ftuarit që veç të tjerash kishin një stil veshje përtej së pranueshmes, argëtoheshin me pyetjet pa e ditur se çfarë dëmi u sillte atyre dhe mijëra fëmijëve që i ndiqnin nga shtëpia. Çmendurisht janë shumë të tillë që s’po i lënë fëmijët të fluturojnë në ëndrrat e vegjëlisë dhe duan t’i rrisin me zor duke u veshur kostumin e të rriturit. Seks, seks dhe vetëm seks pa filtra, i servirur në një tepsi morali, për të ushqyer dhe rritur monstra gjithnjë të uritura.
Këtij të fundit i jepet ushqim fatkeqësisht edhe nëpër protesta të ngritura mbi kauza të tilla, ku shumë sivëllezër të “Monstrës së Babrrusë” i shfrytësojnë këto organizime veç për të rehabilituar imazhin e tyre kafshëror dhe jo për të sjellë ndonjë frymë pozitive të moralit vetjak që t’i shërbejë si serum shoqërisë.
E kam parë ushqimin monstruoz të serviret edhe nga shumë OJF apo më saktë OF, të cilat i përdorin këto kauza më tepër si magnete fitimprurëse për të thithur ndonjë donacion të majmë sesa për të goditur njëherë e mirë mendjet monstruoze. E trishtë, por e vërtetë që puna e shumicës prej tyre bëhet sa për të justifikuar paratë dhe jo për të mbrojtur të miturit dhe gratë.
E kam parë ushqimin monstruoz edhe nëpër rrjetet sociale ku nuk besoj të ketë ngelur më ndonjë kuriozitet i trupit njerëzor për t’u zbuluar nga të miturit të cilët janë të apasionuarit kryesorë pas teknologjisë.
E kam parë te heshtja jonë vrastare, ku shpesh herë pajtohemi me të keqen duke i pranuar monstrat në shoqëri me prirjen për të mos e nisur luftën nga vetja. Më e keqja duke mos reaguar edhe kur i kemi para syve tanë.
E kam parë…
Lista ushqimore për një monstër është shumë herë më e madhe sesa ajo e një njeriu, ndaj edhe e kam hasur vend e pa vend. Ajo është e pangopur, por ama nuk vuan kurrë për t’u ushqyer pasi ka gjithmonë diçka që ne vetë ia servirim me bollëk për ta përtypur.
Ngjarja çnjerëzore e Babrrusë na shërbeu veç të tjerash edhe për të kuptuar pikërisht këtë gjë. Mjaft të tjerë brenda mureve të shkollës, brenda mureve të institucioneve, brenda mureve të komuniteteve, brenda mureve të shoqërisë apo edhe brenda mureve të shtëpisë mund të jenë aktualisht po njësoj të rrezikuar.
Nuk ka pse të presim ndryshimin nësë tregëtojmë thjësht moral dhe mjaftohemi veç me kryqëzimin e merituar të një monstre. Atëherë thuajse kemi bërë një hiç.
Ndonjë gjë të madhe nuk bëjmë as nëse rikthejmë dënimin me vdekje, pasi kjo mund ta frenojë përkohësisht, por nuk mund ta shkulë njëherë e mirë monstrën e cila, duke u ushyer vazhdimisht, rritet aq shumë sa i merr kontrollin njeriun duke e bërë të humbasë logjikën.
Padyshim që çdo person i cili tenton të abuzojë, duhet ndëshkuar me të gjithë ashpërsinë që parashikon ligji dhe ashpërsinë që njeh shoqëria, por izolimi i vetëm një rasti nuk mjafton pasi kështu rrezikojmë të goditemi sërish nga sivëllezërit e tij që janë të panumërt.
Sot nuk duhet të kthehemi më aty ku ishim dje pasi në këtë mënyrë s’kemi për t’u shëruar kurrë. Dhe kjo duhet bërë sa më parë duke ndërprerë ushimin zhvillimor për monstrat.
Megjithatë, para se të shkojmë deri aty, fillimisht secili prej nesh duhet ta dënojë me vdekje monstrën që fsheh brenda vetes.
Në të kundërt, le të mos i prishim pankartat e protestës sepse do të na duhen përsëri për t’i përdorur pas goditjes së radhës.