Lajmi më i mirë që skuadra e Malagas ka marrë në këtë periudhë është ai se Armando Sadiku kishte vendosur që të qëndronte deri në mbyllje të sezonit në radhët e saj.
Sulmuesi shqiptar është forca kryesore e sulmit të Malagas dhe meqë ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të tjera, nuk do të ishte çudi që ai të mos qëndronte pas 30 qershorit dhe të vazhdonte pushimet duke menduar për aventurën e radhës.
Por Sadiku jo vetëm ka konfirmuar se do të qëndrojë te Malaga deri në mbyllje të sezonit, por edhe se do të rrijë pa u paguar në përiudhën pas 30 qershorit derisa Malaga të luajë ndeshjen e fundit të saj.
“Kur Manolo Gaspar më foli për këtë situatë, i thashë që pa asnjë dyshim dëshiroja që të qëndroja deri në mbyllje të këtij sezoni. Kjo pasi nuk jam një person që fshihet, dua gjithmonë që të shoh në sy të tjerët dhe të çoj punën time deri në fund”, tha Sadiku.
“Sigurisht që dua të jap më të mirën time për këto ndeshje, për Malagan, siç kam bërë gjithmonë. Kam një lidhje shumë të veçantë me tifozët dhe personat që punojnë këtu, e për këtë arsye jam i detyruar të jap 100% në këto ndeshje të mbetura për të shënuar gola dhe për të ndihmuar ekipin”, tha Sadiku duke shpjeguar se çfarë duhej të pritnin tifozët e Malagas prej tij në vijim.