“Dy vrasje mafioze në Krujë, dy vrasje të njëpasnjëshme në Vlorë, njëra në formën e një atentati mafioz, dy vrasje për larje hesapesh në Kurbin, shpërthim tritoli nga Tirana në Vlorë, ky është bilanci i policisë së Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt brenda 10 ditëve të fundit”.
Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga ish-deputeti demokrat Enlelejd Alibeaj, i cili thotë se krimi bën festë, ndërsa policia ka ikur në drejtim të paditur.
Sipas tij, krimi e ka mposhtur shtetin, sepse shefi i policisë së Edi Ramës është i zënë duke i bërë gjyqin një gruaje, pasi policia është e zënë duke rrahur fëmijë.
Ai shton se vrasjet, shpërthimet me tritol, atentatet nuk parandalohen dhe autorët nuk gjenden, sepse policia e Edi Ramës është e zënë me shfaqjet e turpshme me dron antikanabis, që zbulojnë vetëm 30 fidanë, sepse policia nuk lufton krimin, por rreh qytetarët që protestojnë në mbrojtje të Teatrit.
Alibeaj deklaroi se mungesa totale e shtetit dhe lënia e territorit nën thundrën e krimit, ka krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së qytetarëve.
“Vrasja e dyfishtë mbrëmë, në Krujë, është vetëm episodi i radhës, që ka plotësuar serialin e gjakshëm në vend ku fjalët ligj, rend, siguri tashmë janë bërë të huaja. Janë të gjitha akte që frymëzohen nga mbrojtja e dhunës shtetërore prej Edi Ramës, Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut. Edi Rama, si strategu i të gjithë kësaj psikoze dhune dhe krimi që ka zaptuar vendin, nuk gjen asnjë shenjë pendese apo dhembshurie në rastin e fatkeqësisë së përdhunimit të një të miture 15 vjeçare, por i vërsulet kujtdo që kërkon llogari për këtë situatë”, u shpreh zyrtari demokrat.
Ai tha se nën një justifikim të rremë, se kërkesa e llogarisë ndaj tij, ministrave të tij, pushtetit të tij, “është e dhunshme”, Edi Rama jep prova ditë pas dite se mënyra e vetme për t’i shpëtuar përgjegjësisë është sulmi ndaj çdo zëri që ndjehet i revoltuar me këtë situatë.
“Dhunë, përdhunime, krim, plagosje, vrasje! Kjo është gjendja që përjetojnë shqiptarët tani pas situatës së pandemisë, në një kohë shumë të shkurtër. Qetësia e rreme dhe ndjesia hipokrite e ndihmës ndaj qytetarëve përgjatë 2 muajve, frikshëm, i ka lënë vendin sundimit të krimit, të kthyer në normalitet gjatë bashkëqeverisjes së tij me Edi Ramën”, deklaroi Alibeaj.
Në mbyllje tha se Edi Rama ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë, sepse ai erdhi dhe qëndroi në pushtet duke patur ortak krimin dhe bandat dhe se prioriteti i tij është të mbrojë dhe të pasurojë kriminelët që i mbajnë në këmbë pushtetin dhe jo të mbrojë qytetarët shqiptarë.
/a.r