Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar në Kurbin dhe në Lezhë, ku i është dërguar formulari për të deklaruar pasurinë tre personave, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, trafikim të lëndëve narkotike dhe vrasje.
I pari në listë është Gëzim Çelaj, i njohur edhe si “Baron Dorge”, i cili sipas policisë është i dënuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” . Por sipas burimeve, ai është i dënuar për trafik droge nga Krimet e Rënda, por vijon të jetë i lirë.
Cela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.
Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.
Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.
Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.
I dytë është Arben Prendi banues në Lezhë, i dënuar me 9 vite burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Mësohet se Prendi në një episod ka qenë edhe korrieri i Jurgen Mollës, teksa po tentonte të trafikonte heroinën nga Shqipëria në Kosovë.
Personi i tretë është Perikli Marku banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari