Thatësira e vitit 2019 i kushtoi sistemit energjetik të vendit një faturë prej afro 200 milionë eurosh, ndërsa në mesataren afatgjatë Shqipëria shpenzon 100 milionë euro në vit për importe.
Studimet për dy variantet e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, përgjysmojnë faturën që paguhet çdo vit për importe dhe eliminon përmbytjet në zonën e Shkodrës.
Në një intervistë për Televizionin Klan, administratori i Korporatës Elektroenergjetike, Benet Beci, thotë se projekti i Skavicës është i domosdoshëm për sistemin, ndërsa sqaron se projekti më rentabël është ai i Skavicës së madhe, me vlerë investimi 510 milionë euro.
“Skavica e Madhe është projekti i dukshëm më rentabël, si për sa i përket shfrytëzimit të energjisë, si për sa i përket prodhimit më të madh që vetvetiu krijon. Po ashtu edhe impaktit të madh në ruajtjen nga përmbytjet”.
Edhe pse vlera e investimit mund të duket e lartë, Beci thotë se këto shifra janë normale në sektorin energjetik. Nëse Skavica nuk do të ndërtohej, KESH sërish do të detyrohej të investonte 300 milionë euro për eliminimin e përmbytjeve nga Kaskada e Drinit.
“Nga studimet që kishim me Bankën Botërore është kërkuar që në funksion të ndryshimeve klimaterike, të shtonim kapacitetet shkarkuese të hidrocentaleve. Ishte një projekt, i cili në diskutim shkon në 300 milion euro, por me bërjen e Skavicës, ne reduktojmë shumë këtë investim në këtë moment. Kështu që një pjesë e financimit, është gati 100 milion euro, që ne mund ta kursejmë duke ndërtuar Skavicën, e kursejmë për të ulur mundësinë e shkarkimit ose uljen e investimit për të bërë shkarkim në të”.
Interesi për të mbështetur këtë projekt me financim është shfaqur nga BERZH dhe Fondi Europian për Ballkanin Perëndimor.
“Kjo është një iniciativë e Qeverisë Shqiptare dhe Qeveria Shqiptare e ka marrë këtë projekt për ta ndërtuar vetë, nuk do të jepet me koncension. Është një projekt, i cili ka mundësinë për t’u financuar. Interesi është i të gjitha bankave”.
Aktualisht një grup ekspertësh po vlerëson se cili do të jetë varianti final i Skavicës, projekti i parë me lartësi 388 metra, prodhim vjetor 479 gigavatorë dhe kosto ndërtimi 308 milionë euro, apo Skavica B, 443 metra, prodhim prej 915 gigavat orë, por që kërkon një investim 510 milionë euro. Në fund të këtij viti projektohet të nisë ndërtimi i veprës.
/a.r