Kryebashkiaku Erion Veliaj ka vlerësuar disa prej figurave që kanë lënë gjurmë në jetën artistike të kombit tonë, duke u vendosur rrugëve të qytetit emrat e aktorëve të mëdhenj. Në listën e miratuar nga Këshilli Bashkiak, disa prej rrugëve në kryeqytet do të mbajnë emrat e ikonave të Teatrit dhe të Kinematografisë shqiptare si Lazër Filipi, Agim Qirjaqi, Albert Verria, etj, një vlerësim ky jo vetëm për punën e tyre, por edhe për tërë komunitetin e artistëve.
Një tjetër emër që spikat është ai i Artan Minarollit, që ka lënë gjurmë si regjisor në mjaft filma. Një nga rrugët do të mbajë edhe emrin e aktores që mban titullin “Artiste e Merituar” Antoneta Papapavlit, që ka interpretuar mbi 50 role në Teatrin Kombëtar, ka mbi 20 vjet karrierë artistike, si dhe në 16 role në filmin artistik shqiptar, ku veçohen rolet e Afrovitit te “Karnavalet e Korçës”, Cuca te “Cuca e maleve”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë” etj.
Gjithashtu dhe Ferial Alibali, një nga aktoret e para të skenës profesioniste të vendit tone do të ketë një rrugë që do të mbajë emrin e saj. Me mbi 50 role në skenë, Alibali është vlerësuar nga Bashkia e Tiranës për interpretimin magjik në teatër dhe në filmat artistik.
Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë dhe aktoren Esma Agolli e cila ka luajtur shumë role në teatër dhe kinematografi, por rolet që spikasin janë te Mysafiri (1979), zonja Neriman te filmi Përtej mureve të gurta (1979), te Fëmijët e saj (1957), etj. Agolli mban titullin “Artiste e Merituar”.
/a.r