Avokat Spartak Ngjela komentoi ditën e djeshme zhvillimet politike në vend, si dhe tryezën e reformës zgjedhore. Për këtë të fundit, Ngjela deklaroi se Këshilli Politik është një skemë komike e radhës, duke shtuar se ata kanë lidhur besën së bashku për vjedhjet e votave të radhës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, avokati deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha është ndër të parët që e urren votën e lirë.
“Pas turpit komik të Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, për ta sqaruar të vërtetën e këtij turpi që pamë sot, mendojmë të ngremë këto pyetje, të cilat e kanë përgjigjen brenda tyre. Akoma duhen besuar këta injorantë, që kanë lidhur besën për të vjedhur? I shihni se përse po zihen në lidhje me ligjin zgjedhor? Nuk e shihni që, as që iu shkon fare në mendje se ligji zgjedhor është ligji i garancisë së popullit shqiptar, i cili mezi e ka fituar të drejtën e votës së lirë, dhe që nuk e ka ushtruar asnjëherë atë, sepse nuk e kanë lejuar hajdutët në tridhjetë vjet rresht? Po, ende nuk po e kuptoni që Berisha e urren votën e lirë, njëlloj si Enver Hoxha”, tha Ngjela.
Më tej avokati shtoi se asnjë nga liderët politikë nuk e do miratimin e reformës zgjedhor, ku thekson se nëse kjo miratohet presidentit Ilir Meta i konfiskohet pasuria.
“Nuk e kuptoni që Edi Rama ka neveri për votën e lirë, sepse ai vetë ka manipuluar tre votime në Shqipëri. Vërtet kujtoni se Ilir Meta mendon edhe një minutë të vetme për votën e lirë, kur kjo i konfiskon pronat që ai ua ka vjedhur shqiptarëve të varfër, dhe që vota e lirë e burgos për këto vjedhje? Vërtet mendoni se Basha ka ndonjë gjë në dorë për këtë çështje? Por, edhe po të ketë, a mund ta dijë ai realisht se çfarë është vota e lirë, dhe që ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me lirinë e shqiptarëve? As mos t’ju shkojë në mendje kjo gjë”, tha Ngjela.
Por për avokatin, shpresa e vetme e shqiptarëve për t’iu rikthyer besimin është vetingu në sistemin gjyqësor dhe në klasën politike, si dhe angazhimi maksimal i SHBA-BE.
“Jo, shpresa jonë tani ka lindur. Ne po presim të vijojë reforma antikorrupsion në pushtetin gjyqësor dhe në politikën e lartë qeverisëse në Shqipëri. As që na duhet fare një ligj zgjedhor i formuluar nga një hordhi hajdutësh. Vota e lirë në Shqipëri do të funksionojë për të zgjedhur qeverisjen si rrjedhojë direkte e vullnetit të shqiptarëve, menjëherë pasi ONM dhe SPAK do t’ua heqin nga shpina shqiptarëve lukuninë vjedhëse të të korruptuarve të lartë. Këtë po presin shqiptarët. Dhe shpresa qëndron te angazhimi amerikan dhe europian. Sidomos dalja në skenë e ambasadores amerikane Yuri Kim, që po vepron me temp moral kundër frymës dekadente të hajnisë shqiptare në qeverisje, e ka bërë të qartë se gjithçka korruptive do të goditet”, tha Ngjela.
g.kosovari
Taku je absolut. Hajdutet duan te vazhdoje avazi i vjeter.E vetmja shprese per sistemin zgj3dhor me l7sta te hapura dhe kom8sione zgjedhore te depolitizuara dhe president te zgj3dhur direkt nga populli ,eshte vetem REFERNDUMI