Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore sot ka afatin e fundit, të përcaktuar nga liderët politikë, lidhur me gjetjen e kompromiseve për reformën zgjedhore.
E ndërsa janë ende pezull çështje që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor e teknologjinë në zgjedhje, Kolegjin Zgjedhor, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shkruan në një postim në rrjetet sociale se përdorimi i teknikës elektronike për identifikim e votim do ishte një gjë e mirë, ndër të tjera edhe për ç’tensionimin politik të komisioneve.
STATUSI I PLOTE
Një propozim për kompromis.
========
Në një tryezë dialogu, nëse je vullnetmirë duhet të tolerosh.
Tek reforma zgjedhore toleranca duhet të kërkohet më shumë nga partia e vetme që zotëron shumicën. Ajo është kapur në flagrancë duke vjedhur vota. Ndaj, nëse e ka seriozisht reformën zgjedhore sipas kërkesave të Europës, duhet të tolerojë.
Po të kishte dy pare mend në kokë do ti duhej ti linte opozitës një letër të bardhë në tryezë me ftesën “shkruaje ti reformën e dashur opozitë”. Por kjë është e tepërt për pushtetin e degjeneruar tashmë.
Sidoqoftë dy konsiderata teknike mbi çështjet që i ndajnë palët ja vlen ti shqyrtojmë.
Përdorimi i teknikës elektronike për identifikim e votim do ishte një gjë e mirë, ndër të tjera edhe për ç’tensionimin politik të komisioneve.
Në një vend ku proceset ndodhin elektronikisht merr kuptim edhe ideja e depolitilizim të komisioneve.
Pra këto dy procese janë llogjikisht të lidhura ngushtë. Që do të thotë se nëse votimi e identifikimi bëhen prap manualisht, llogjikisht duhen më shumë njerëz që të administrojnë zgjedhjet. Duke qenë se nuk kemi kaq njerëz jo politikë, do të duhet të ruajmë të njëjtën përbërje komisionesh, pra me propozime partish.
Kjo është llogjika dhe opozita në këtë rast ka të drejtë që insiston tek teknologjia. Vetëm kështu merr kuptim depolitizimi një nje mjedis tërësisjt politik dhe me nënpunës shteti militantë të partisë së vetme që qeveris.
Nuk ka kuptim që në emër të depolitizimit të bëhen komisionet e zgjedhjeve monopartiake!!! Kjo do ishte pastaj katastrofë elektorale jo reformë.
Fshehja tek thënia “nuk na lë ODIHR të vendosim 100% teknologji” më duket justifikim. Por nëse do ti qëndrojnë këtij justifikimi, atëhere nuk ka kuptim të flitet për depolitizim komisionesh. Sepse ODIHR nuk ka thënë që depolitizimi është kur komisionet i merr vetëm partia që qeveris.
Ndoshta si rrugë kompromisi mund të ishte që të paktën të bëhej identifikimi biometrik i zgjedhësve, dhe komisionet të ishin miks me punonjës shteti dhe përfaqësues partish.
Kartat tona të identitetit e përmbajnë këtë informacion. Duhet thjesht një lexues elektronik i kartës dhe zgjedhësi të vendosë gishtin në të. Kështu ajo kartë nuk përdoret më atë ditë për një votim tjetër. As dikush tjetër nuk mund të votojë në emrin tënd.
Shumë e mirë si zgjidhje.
Ndërsa sa i takon kolegjit zgjedhor, sugjerimi im është që të mos ketë trupë gjyqsore të parazgjedhur si deri më sot, por të gjithë gjykatësit që sot gjykojnë në gjykatat e apeleve të kondiderohen automatikisht edhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Ata përzgjidhen me short kur ka çështje zgjedhore konkrete.
Debati me vetting, pa veting në këtë rast shmanget. Siç gjykojnë çështje normale do gjykojnë edhe për zgjedhjet.
Ngritja e një kolegji paraprakisht me gjyqtarë të vetuar, në thelb është kontroll mbi proçesin zgjedhor. Ndaj duhet rritur numri i gjykatësve që mund t’u bjerë shorti për çdo padi të ngritur.
Ja kaq.
Ndoshta me këto dy propozime mund të arrihet një kompromis për çështjet që i ndajnë palët.