Nga Fatmir Merkoçi*
Sot, ndodhemi para fakteve kokëforta, pasi Reforma në Drejtësi e futi vetë sistemin e drejtësisë në një kaos institucional. Duket se jemi në kushtet e dështimit total. Kjo, pasi, çdo ditë vërtetohet se kemi të bëjmë me një sistem krejt të dështuar dhe se ky është realiteti.
Shteti bazohet në Kushtetutë, ku sipas nenit 1, pika 1 “Shqipëria është Republikë Parlamentare” dhe sipas nenit 64, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë.
Po a jemi ne vallë në kushtet e Kushtetutës? Absolutisht që jo. Ne kemi një Kuvend krejtësisht të cunguar dhe si pasojë kemi një diskordancë ndërmjet numrit real të deputetëve dhe të asaj që përcakton Kushtetuta. Pra e thënë më thjesht: Nëse kërkohet që një ligj të kalohet me 3/5 e Kuvendit, pa dyshim që i referohemi numrit 140 të Kushtetutës e jo numrit të real të deputetëve që është 120. Pra, që këtu shkelet Kushtetuta nga vetë ligjvënësit.
Por ne nuk e plotësojmë dot as Nenin 1 të Kushtetutës pasi, sot ne nuk jemi në kushtet e një Republike Parlamentare. Nuk jemi pasi Opozita ka dorëzuar mandatet dhe vetë Shteti pranon dy opozita brenda opozitës. Pra një jashtë Kuvendit ( që ka dorëzuar mandatet) dhe një “opozitë” që ndodhet në Kuvend por, që ka thyer urdhrin politik të opozitës. Ose më thjeshtë kemi një Kuvend që nuk e përfaqëson realisht popullin. Në bazë të së drejtës universale të të drejtave të Njeriu, kemi shkelje të hapur të kësaj të drejte.
Sot, ne, kemi një Qeveri që po punon me VKM dhe ligje speciale. Kemi një Kuvend që ndryshon Kodin Penal në kohë të Gjendjes së jashtëzakonshme. Kemi një President, i cili herë del në mbrojtje të Kushtetutë e herë bëhet “zëdhënës” i Qeverisë. Gjithashtu kemi një opozitë, e cila akuzon Qeverinë sa për korrupsion aq dhe për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Pyetja që lind vetvetiu në një Shtet normal është kjo: Kush i zgjidh këto konflikte? Pa dyshim, sipas nenit 124 “Gjykata Kushtetuese zgjidh marrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të kushtetutës”. Por me nisjen e Reformës në Drejtësi, ne, gjënë e parë që bëmë ishte se nxorëm jashtë funksionit pikërisht këtë gjykatë. E thënë më popullorçe. E lamë vendin tonë pa bari.
E keqja thellohet kur, nuk funksionon as Gjykata e Lartë dhe as ajo e Apelit dhe e Faktit, që sot janë me kapacitete minimale. Kaosi që solli mos funksionimi i tyre ka bërë që njerëzit të humbasin jo vetëm besimin këtë reformë, por dhe të krijojnë konflikte të ndryshme. Ku ajo më e prekshmja mbetet çështja e pronës.
Por duket se dhe organet e reja të drejtësisë dhe KLD e KLGJ nuk po janë fare produktive. Madje KED ka qenë organi më problematik dhe më konfliktual ndërmjet institucioneve. Jo rrallë çështja Dvorani ka sjell pështjellime në vetë politikën shqiptare. Konflikte që janë kthyer deri në ato nominale.
Sot ne kemi një tryezë për Kodin Zgjedhor. Duket se ashtu siç ka nisur, do bitiset dhe ky Kod e kjo tryezë e palëve, që është më e rënda dhe më e pazgjidhshmja.
Në rastin më të mirë është se palët do bien dakord për të ndryshuar Kodin e ri zgjedhor. Por shqetësues mbetet fakti se: Për t’u miratuar e zbatuar Kodi i Ri, duhet të bëhen dhe ndryshime në Kushtetutë. Ashtu siç e thashë më lart. Kuvendi nuk e ka legjitimitetin për të bërë ndryshime në kushtetutë. Kjo pasi nuk ka numrin 140 përbërës të tij.
Ajo që është evidente sot është fakti se faktori ndërkombëtar, i cili kërkon që kjo reformë të eci përpara. Por me sa duket, edhe faktori njeri, duket se është një pengesë serioze. Kjo sepse shumë nga gjyqtarët e prokurorët nuk e kalojnë dot Vettingun. Por ajo që është më e keqe, është fakti se njerëzit e emëruar në drejtimin e drejtësisë, më shumë zbatojnë urdhrat e atyre që i emëruan se sa zbatimin e ligjit.
Nëse do ta konkretizoja më qartë nuk do e kisha të vështirë. Po të marrim faktin e shembjes së Teatrit Kombëtar. Nëse i referohemi Kodin të Procedurës Penale, sipas nenit 206 thuhet se:
- Kontrolli në një banesë ose në një vend të mbyllur ngjitur me të nuk mund të fillojë para orës shtatë dhe pas orës njëzet. Në raste të ngutshme organi procedues mund të urdhërojë me shkrim që kontrolli të bëhet tej këtyre caqeve.
Pra këtu jo që nuk jemi para faktit të një kontrolli por të një shembjeje të një godine. A veproi Prokuroria si organ i pa varur? A u arrestua në flagrancë, ai që urdhëroi një veprim të tillë? Absolutisht që jo. Përkundrazi, veprimet e paligjshme u mbrojtën po me një veprim të pa ligjshëm të policisë e cila nuk dihet se me urdhër të kujt doli në mbrojtje të paligjshmërisë.!?
Me këtë vërtetohet se kjo reformë e trumpetuar si domosdoshmëri solli një kaos. Solli një Kryeministër që tejkalon çdo kompetencë kushtetuese dhe nuk jep asnjë llogari para askujt pasi dhe Kuvendi është kthyer në një institucion partiak. Shanset për të bërë një reformë reale janë të pakta. Mbase, vetëm nëse Presidenti do kishte kurajën të shpërndante kuvendin dhe të merrte iniciativën e bërjes së një kushtetute të re, atëherë mundej të hapej drita jeshile për një Shtet demokratik. Po vazhduam me arnime të Kodeve, ligjeve apo dhe vetë kushtetutës, vendi do vazhdojë në kaosin e tij institucional dhe në tranzicionin e tejzgjatur. Në këtë formë, jo 15 pikat e vëna nga Evropa që nuk do i plotësojmë, por me gjasa do na shtohen dhe pika të tjera. Koha është gjykatësi më i saktë i drejtësisë.
*Avokat