Dy të rinj që ishin shpallur në kërkim, kanë rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi akuzohen për vrasje në tentative. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet F. L., 30 vjeç dhe E. R., 29 vjeç, banues në Korçë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 26.10.2019, ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.
Ata akuzohen në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 15 tetor të vitit të kaluar në lagjen nr. 17, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë, në drejtim të shtetasit A. Sh., i cili ndodhej brenda automjetit të tij, duke shkaktuar dëme materiale.
/e.rr