Komisioni Europian njoftoi sot një paketë të paprecedentë stimulimi prej 750 miliardë eurosh, e përbërë kryesisht nga grante që nuk ka nevojë të rimbursohen. Paketa vjen si përpjekje për të tejkaluar recesionin më të thellë në historinë e Bashkimit Europian.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha sot se do të prezantojë detajet para europarlamentarëve gjatë pasdites, pasi Kolegji i Komisionerëve të aprovojë fondin e rimëkëmbjes.
Paketa përfshin një total prej 500 miliardë euro që do t’u shpërndahen shteteve më të goditura nga pandemia në formën e granteve dhe 250 miliardë euro të tjera shtesë, në formën e kredive të buta.
Burime të cituara nga mediat italiane thonë se Italia do të përfitojë shifrën më të lartë, gati 173 miliardë euro, 81 miliardë prej të cilave në formën e ndihmave.
Spanja pritet të sigurojë 140 miliardë, mes granteve dhe kredive të buta. Nuk ka njoftime nëse shuma
marramendëse do të përfshijë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mes tyre Shqipërinë, apo do të jetë ekskluzivisht për vendet e Unionit.
/a.r